Kriminelët nuk kanë vend në Polici

Edita Tahiri tha para deputetëve se pjesëtarët e MUP’it do të kalojnë procedura të rregullta të verifikimit. Ajo tha se ata që kanë histori kriminale nuk do të pranohen në Policinë e Kosovës.

Lajme

12/12/2013 11:38

Zëvendëskryeminsistrja Edita Tahiri, e cila njëherësh është edhe Kryenegociatore për çështje teknike në bisedimet me Serbinë, sot në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se të gjithë personat që kanë histori kriminale nuk do të përfshihen në Policinë e Kosovës- duke folur kështu për integrimin e pjesëtarëve të MUP’it serb.

“Individët që janë të interesuar të përfshihen në Policinë e Kosovës, në qoftë se kanë histori kriminale, nuk mund të jenë pjesë e Policisë së Kosovës”.

Ajo tha se të gjitha strukturat paralele duhet të shuhen dhe se për procesin e integrimit të pjesëtarëve të strukturave ilegale do të aplikohen kriter, njëjtë sikur aplikohen për të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e PK’së.

“Të gjitha strukturat e tjera, mekanizmat serb të inteligjencës të cilat duhet të shuhen”.

“Tani dua të jem konkrete sa i përket procedurave të integrimit, ato bëhen sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, duke u nisur nga konkursi i cili do të jetë për këtë çështje, pastaj procedurat e verifikimit, të cilat do të bëhen nga PK me ndihmën e EULEX por dhe mekanizmave të tjerë që i ka shteti i Kosovës për çështjet e tjera të verifikimit”.

“Në kuadër të kritereve, sigurisht janë trajnimi, janë plotësimi i kushteve, pra kushteve profesionale që kërkohen, kushteve teknike por edhe integriteti moral i individëve”.

Tahiri, nuk harroi që t’ua rikujtojë deputetëve se tashmë shumica e tyre kanë miratuar ligjin për Amnisti. Poashtu ajo tregoi se Kosova ka shprehur gatishmërinë e saj që të integrojë serbët brenda shoqërisë dhe institucioneve kosovare.

“Mirëpo ju nuk duhet të harroni, dhe as ne të gjithë që tashmë kemi miratuar ligjin për amnisti dhe sipas këtij ligji, në fakt ne kemi dhënë mesazhe të qarta që jemi të gatshëm për integrimin e qytetarëve serb të pjesës veriore në institucionet e shtetit të Kosovës”.

“Ky ligj për amnistinë natyrisht që nuk i përfshinë ata që kanë histori kriminale, prandaj edhe individët që janë të interesuar të përfshihen në Policinë e Kosovës, në qoftë se kanë histori kriminale nuk mund të jenë pjesë e Policisë së Kosovës”, është shprehur Edita Tahiri.