Krimi ndaj ‘Degjenerimit’

Adolf Hitler kishte kritere të çuditshme artistike. Me urdhrin e tij, 16.000 vepra ishin larguar nga muzetë dhe galeritë gjermane. Arsyeja zyrtare – “Degjenerimi”.

ShowBiz

29/01/2014 21:00

Adolf Hitler besonte se arti modern, veçanërisht ai post-impresionist, përfshirë edhe ekspresionistët si Kandinsky dhe Otto Dix, ishte “dëshmi e mendjes së shkalluar”.

“Çdokush që e sheh dhe e pikturon qiellin të gjelbër, kurse fushat të kaltra – duhet të sterilizohet”.

Piktura para diktatures… Adolf Hitler: Wiener Staatsoper  (1912)

Ai urdhëroi që 16.000 vepra arti, ku bënin pjesë edhe ato të Van Gogh’ut dhe Man Ray’t, të largoheshin prej muzeve dhe galerive gjermane.

Muzeu londinez Victoria and Albert së shpejti do t’i publikojë online dy vëllime të inventarit të veprave artistike të cilat konsideroheshin art i nivelit të ulët nga regjimi nazist.

Inventari i veprave.

Dokumentet e dëshmojnë fatin e këtyre veprave, shumica e të cilave ishte shkatërruar.

Inventari Entartete Kunst, i përpiluar në vitet 1941-1942, iu dhurua muzeut Victoria and Albert në 1996 nga e veja e Heinrich Robert (Harry) Fischer, shitblerës austriak i artit, i cili emigroi në Britaninë e Madhe në 1938.

Entartete Kunst përkthehet Art i Degjeneruar.

Për secilin institucion , veprat e konfiskuara janë të listuara me rend alfabetik në bazë të emrit të artistit dhe tregojnë informata për atë se çfarë i ka ndodhur veprës – duke përdorur shkronjat T (e këmbyer), V (e shitur) dhe X (e shkatërruar).

Shpesh janë shënuar edhe emrat e blerësve dhe shumat e paguara.

Herman Goring, bashkëpunëtor i afërt i Hitlerit, dhe Hildebrand Gurlitt, historian i artit, përmenden në shumë raste.

Gurlitt është babai i Cornelius Gurlitt, i cili u bë  njohur vjet, kur në apartamentin e tij në Mynih u gjetën më shumë se 1400 vepra artistike, shumica të vjedhura nga nazistët.

 A.M.