Krimea nuk është Kosovë
Ish Sekretarja e Shtetit të SHBA’ve, Madeleine Albright, thotë se Kosova është një situatë krejtësisht tjetër nga kjo në Krime.
Lajme
Ish Sekretarja e Shtetit të SHBA’ve, Madeleine Albright, ka komentuar ngjarjet e fundit në Ukrainë, duke pohuar se SHBA nuk po përdorin politikë me dy kute sepse lejuan Kosovën që të ndahet nga ish Jugosllavia, kurse Krimesë nuk i lejohet të ndahet nga Ukraina, raporton RTK.
Albright ka thënë prerë se analogjia e tillë nuk qëndron.
“Absolutisht jo. Kosova është një situatë krejtësisht tjetër nga kjo në Krime.”
“Ish Jugosllavia është shkatërruar për shkak të veprimeve të Millosheviqit që kanë zgjatur me vite. U ndanë edhe Sllovenia, Kroacia e Bosnjë e Hercegovina. Ajo çfarë ndodhi aty ishte rezultat i zhvillimeve të brendshme.”
“Rusia kurrë nuk e ka kuptuar çfarë po ndodhte në Kosovë dhe është përpjekur që të bllokojë vazhdimisht faktin se njerëzit aty dëshironin ta kenë pavarësinë”.
“Ajo që është e rëndësishme është se rusët duket se po ‘blejnë’ në mënyra të ndryshme diçka që mund t’u shkaktojë probleme të brendshme shumë të mëdha, sidomos kur kemi parasysh grupet e shumta etnike si në Krime, apo Dagestan, e ca vende tjera”.
“Putin është gabuar thellë në kalkulime dhe ne duhet t’ia vëmë në dukje se gaboi në vlerësim”.