Krasniqi thotë se vendimin e ZRrE-së do ta dërgojnë në Kushtetuese: Jemi në krah të ndërmarrësve dhe qytetarëve të Kosovës

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka paralajmëruar se do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese vendimin e ZRrE-së për daljen e bizneseve në treg të lirë të energjisë, vendim ky për të cilin Krasniqi ka thënë se është i padrejtë, pasi sipas tij vetë ZRrE-ja nuk ka krijuar kushte minimale për një gjë të tillë. Ai…

Lajme

18/08/2025 14:33

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka paralajmëruar se do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese vendimin e ZRrE-së për daljen e bizneseve në treg të lirë të energjisë, vendim ky për të cilin Krasniqi ka thënë se është i padrejtë, pasi sipas tij vetë ZRrE-ja nuk ka krijuar kushte minimale për një gjë të tillë.

Ai ka thënë se këtë betejë e kanë nisur në gjykatat e rregullta, por edhe pse sipas tij provat ishin të qarta dhe pasojat për ekonominë e vendit evidente, ai ka thënë se Gjykata Themelore e refuzoi kërkesën e tyre, ndërsa Gjykata e Apelit e legjitimoi këtë refuzim, duke i hapur rrugë zbatimit të vendimit të ZRRE-së.

“Në konsultim me Avokatin Faton Fetahu dhe ekipin e juristëve të PDK-së, kemi konstatuar se tashmë janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore që ky vendim i ZRRE-së të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese, gjë që do ta bëjmë gjatë kësaj jave. Ne do të kërkojmë masë të përkohshme, në mënyrë që ky vendim i dëmshëm të mos zbatohet deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes. Ky nuk është vetëm një proces gjyqësor. Është një betejë për të mbrojtur bizneset tona, ekonominë e vendit, punëtorët tanë dhe familjet e tyre nga një abuzim i pashembullt i pushtetit, i cili i ka detyruar qytetarët dhe ndërmarrjet të blejnë energji me çmime 280% më të larta – vetëm për të mbushur xhepat e kompanive të licencuara nga qeveria. PDK do të jetë deri në fund në krah të ndërmarrësve dhe qytetarëve të Kosovës, për ta ndalur këtë padrejtësi të madhe dhe për të mbrojtur interesin publik”, ka shkruar Krasniqi. /Lajmi.net/ 

Postimi i tij i plotë në Facebook: