Krasniqi takon deputetët francezë, rithekson nevojën urgjente për formimin e institucioneve të reja

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka pritur sot në takim në selinë e partisë, një delegacion të deputetëve të kuvendit të Francës. Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Krasniqi, ka njoftuar se me Marine Hamelet nga Rassemblement National (RN), Frédéric Petit nga Groupe Démocrate (MODEM), Pierre Pribetich nga…

Lajme

09/04/2025 13:07

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka pritur sot në takim në selinë e partisë, një delegacion të deputetëve të kuvendit të Francës.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Krasniqi, ka njoftuar se me Marine Hamelet nga Rassemblement National (RN), Frédéric Petit nga Groupe Démocrate (MODEM), Pierre Pribetich nga Parti Socialiste (PS), dhe Jean-Louis Roumégas nga Groupe Écologiste et Social, të shoqëruar nga Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, diskutuan mbi zhvillimet e fundit në vend.

“U shpreha mirënjohjen time të thellë, si dhe të PDK-së, për mbështetjen e palëkundur që Franca i ka dhënë Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve, dhe që vazhdon të ofrojë edhe sot, në përpjekjet tona për integrim evropian”, shkruan Krasniqi.

Tutje Krasniqi, tha se gjatë takimit ka ritheksuar nevojën urgjente për formimin e institucioneve të reja, funksionale dhe demokratike.

“Kosova ka nevojë për një qeveri që do të jetë në shërbim të qytetarëve të saj, duke adresuar me prioritet çështjet që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, si kostoja e lartë e jetesës, zhvillimi ekonomik dhe integrimi euroatlantik”, thotë ai.

Po ashtu ndër të tjera kreu i PDK-së thotë se ka theksuar rëndësinë që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese të vendosura nga partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilat po rëndojnë edhe më shumë mirëqenien e qytetarëve dhe situatën ekonomike në vend. Nga miqtë tanë francezë kërkova mbështetje të vazhdueshme edhe për avancimin e kandidaturës sonë për anëtarësim në BE, si dhe për inkurajimin e shteteve mosnjohëse që të njohin pavarësinë e Kosovës.

“Rruga jonë është drejt Evropës – bashkë me aleatët tanë dhe për qytetarët tanë”, theksoi i pari i PDK-së. /Lajmi.net/