Krasniqi paralajmëron bllokadë institucionale: Opozita ta nominojë një kandidat tjetër për President

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka reaguar për zhvillimet rreth zgjedhjes së Presidentit, duke thënë se opozita e ka vetëm edhe një mundësi për të parandaluar bllokadën e re institucionale. Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka theksuar se opozita mund ta shmangë situatën duke krijuar kushtet për zgjedhje të jashtëzakonshme. Sipas tij, kjo mund…

Lajme

05/03/2026 10:00

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka reaguar për zhvillimet rreth zgjedhjes së Presidentit, duke thënë se opozita e ka vetëm edhe një mundësi për të parandaluar bllokadën e re institucionale.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka theksuar se opozita mund ta shmangë situatën duke krijuar kushtet për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Sipas tij, kjo mund të arrihet nëse krahas kandidaturës së propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për Glauk Konjufca si President, opozita nominon edhe një kandidat të dytë dhe merr pjesë vetëm në raundin e parë të votimit.

“Thirrja e një seance të jashtëzakonshme për këtë proces mund të bëhet me 40 nënshkrime. Në këtë mënyrë aktivizohet rrjedhja e afatit kushtetues prej 60 ditësh për zgjedhjen e Presidentit”, ka shkruar ai.

Krasniqi ka sqaruar se nëse brenda këtij afati Presidenti nuk zgjidhet, atëherë vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Ai ka paralajmëruar se në të kundërtën, Kosova rrezikon të hyjë në një cikël të ri bllokade institucionale përmes manovrave procedurale dhe përfshirjes së mundshme të Gjykatës Kushtetuese.

“Koha e zgjedhjeve mund të diktohet nga momenti politik më i përshtatshëm për LVV-në”, ka theksuar Krasniqi në reagimin e tij. /Lajmi.net/