Krasniqi: I kam thënë Kurtit, ti sovran s’mund të jesh as në zyrën tënde pa Amerikën
I pari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi duke kritikuar raportin e qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti me Amerikën, ka deklaruar se në katër vitet e fundit marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë degraduar. Ai ka thënën se për PDK-në raporti më i rëndësishëm ndërkombëtar dhe pa konkurrencë është ai me…
Lajme
I pari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi duke kritikuar raportin e qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti me Amerikën, ka deklaruar se në katër vitet e fundit marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë degraduar.
Ai ka thënën se për PDK-në raporti më i rëndësishëm ndërkombëtar dhe pa konkurrencë është ai me SHBA-në.
“Ne e kemi parë në këtë katërvjeçarin e fundit për fatin e keq të Kosovës, marrëdhëniet mes Kosovës dhe ShBA-së kanë degradu. Ky ka qenë si me thanë cilësimi zyrtarë nga ana e Administratës Amerikane edhe përmes ambasadës këtu, por edhe përmes përfaqësuesve në Uashington. Bile në mënyrë shumë diplomatike ata e kanë cilësu që ka qenë degradim i cilësisë së raporteve, se pak ma rënd besoj që është thënë në takimet zyrtare”, tha ai në intervistën në Rubikon.
Krasniqi ka përkujtuar edhe reagimin e fundit të ambasadës amerikane në Prishtinë, javën e kaluar rreth aksionit të policisë për mbylljen e komunave paralele, aksion ky që ishte zhvilluar pa një vendim gjykate.
“S`janë kursyer as pak edhe javën e kaluar e patëm deklarime të cilat ishin vërtetë shqetësuese për sa i përket raportit tonë me SHBA, që unë konsideroj dhe jam i bindur që për PDK-në është raporti më i rëndësishëm ndërkombëtar e pa konkurrencë”, tha Krasniqi.
Krasniqi më tej në këtë intervistë ka deklaruar se sovraniteti i Kosovës nuk ekziston pa Shtete e Bashkuara të Amerikës.
“Sovraniteti i Kosovës nuk ekziston pa Shtete e Bashkuara të Amerikës. Në momentin që e kuptojmë këtë është ma leht për gjithçka. Sovraniteti i Kosovës ekziston për shkak të SHBA-ve. I kam thënë edhe në zyre edhe publikisht Albin Kurtit, ti sovran nuk mundesh me kanë as në zyrën tënde pa Amerikën. Dhe ata që se kuptojnë këtë punë mendoj që kanë nevojë për me u trajtu. Kush nuk e kupton se Kosova e ka sovranitetin e ka të varur nga raporti me Amerikën, nuk është në rregull, domethanë nuk merr vesh prej politikës, nuk merr vesh prej marrëdhënie ndërkombëtare”, tha Krasniqi.