Krasniqi flet pas zgjedhjeve lokale – Uron Lladrovcin për fitoren në Drenas: Humbja atje na la një shije të hidhur

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, në një konferencë për media ka komentuar zhvillimet e fundit pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, duke vlerësuar si pozitive rezultatin e partisë që ai udhëheq dhe duke uruar Ramiz Lladrovcin për fitoren në komunën e Drenasit. Krasniqi tha se rezultati i zgjedhjeve është një fitore e…

Lajme

15/10/2025 17:23

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, në një konferencë për media ka komentuar zhvillimet e fundit pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, duke vlerësuar si pozitive rezultatin e partisë që ai udhëheq dhe duke uruar Ramiz Lladrovcin për fitoren në komunën e Drenasit.

Krasniqi tha se rezultati i zgjedhjeve është një fitore e qytetarëve, ndërsa theksoi se PDK-ja është e vetmja parti që ka shënuar rritje të votës popullore në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2021.

“Kjo është një fitore e qytetarëve. Të dielën kemi marr mbi 180 mijë vota, jemi partia e vetme për rritjen e votës popullore krahasuar me zgjedhjet e viti 2021. Në Ferizaj, Han të Elezit dhe Skenderaj kemi fitua pa balotazh, në gjatë të tjera jena në Balotazh”, tha Krasniqi.

Duke folur për rezultatin në Drenas, Krasniqi e përshkroi atë si një sfidë të veçantë për PDK-në. Ai tha se ndarja e elektoratit kishte krijuar një situatë të ngjashme me atë të para katër viteve, por që këtë herë kandidati kundër PDK-së e fitoi përkrahjen e qytetarëve.

“Natyrisht humbja në Drenas na la një shije të hidhur, ishte përsëritje e situatës para katër viteve ku elektorit ynë u nda në dy taborre, por këtë herë kundër kandidati i PDK-së e mori besimin e qytetarit, kryetarit të zgjedhur ia uroj fitoren dhe shpresoj se do të punojë për të mirën e qytetarëve të komunës. Më vjen keq që në këtë garë lokale qytetarët e Drenasit u vendosën në një pozitë të vështirë nga konfuzioni i kandidatëve por besoj shumë që mbështetja për PDK në zgjedhjet nacionale do të vazhdojë”, tha Krasniqi para mediave./Lajmi.net/