KQZ: Të hënën përfundon afati për partitë që të deklarojnë shpenzimet në fushatë
E hëna e 28 prillit është afati i fundit kur subjektet politike janë të obliguara të deklarojnë shpenzimet e fushatës së zgjedhjeve të 9 shkurtit. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se ky është detyrim ligjor që subjektet politike që garojnë në zgjedhje të dorëzojnë raportin financiar të fushatës zgjedhore jo më vonë se 30…

Lajme
E hëna e 28 prillit është afati i fundit kur subjektet politike janë të obliguara të deklarojnë shpenzimet e fushatës së zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se ky është detyrim ligjor që subjektet politike që garojnë në zgjedhje të dorëzojnë raportin financiar të fushatës zgjedhore jo më vonë se 30 ditë kalendarike pas certifikimit të rezultateve përfundimtare nga KQZ.
“Data e fundit për dorëzimin e raporteve financiare të fushatës zgjedhore për 28 subjektet politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 9 shkurt 2025, është 28 prill 2025”, tha Elezi për RTKlive.
Siç ka treguar ai, subjektet politike që morën pjesë në këto zgjedhje janë njoftuar me kohë nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar (ZRCKFSP) për detyrimet e tyre ligjore.
“Raportet e fushatës zgjedhore duhet të përfshijnë periudhën nga dita e shpalljes së zgjedhjeve, 16 gusht 2024, deri në ditën e zgjedhjeve, 9 shkurt 2025. Raportet e deklarimit financiar të fushatës zgjedhore, ashtu si raportet vjetore financiare, do t’i nënshtrohen procesit të audimit nga auditorë që përzgjidhen nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike nëpërmjet një konkursi të hapur publik për aplikim”, bëri të ditur, Elezi.