KQZ miraton rekomandimet për reformë zgjedhore, kërkohen edhe ndryshime ligjore

Me 10 vota për, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar sot konkluzionet dhe rekomandimet e nxjerra nga punëtoria mbi mësimet e nxëna nga zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2025. Rekomandimet shërbejnë si bazë për diskutime mbi ndryshimet e mundshme në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe për reforma të procesit…

Lajme

25/02/2026 14:55

Me 10 vota për, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar sot konkluzionet dhe rekomandimet e nxjerra nga punëtoria mbi mësimet e nxëna nga zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2025. Rekomandimet shërbejnë si bazë për diskutime mbi ndryshimet e mundshme në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe për reforma të procesit zgjedhor.

Anëtari i KQZ-së nga PDK, Ilir Gashi, tha se mbështet në parim rekomandimet, por shprehu rezerva për ato që kërkojnë ndryshime kushtetuese, si dhe për çështjen e numrit të kandidatëve në lista, duke theksuar se këto çështje tejkalojnë kompetencat e KQZ-së.

Gashi theksoi rëndësinë e fokusimit te ndryshimet që mund të realizohen pa ndërhyrje ligjore, si leximi elektronik i fletëvotimeve, identifikimi elektronik i votuesve dhe votimi i hershëm për kategori të caktuara të qytetarëve.

Nga ana tjetër, anëtari i KQZ-së nga LVV, Sami Kurteshi, vlerësoi rekomandimet si produkt i diskutimeve profesionale dhe nënvizoi se KQZ-ja ka detyrë t’i japë ato, pavarësisht nëse janë obligative apo jo. Ai theksoi dallimin mes rekomandimeve profesionale dhe kërkesave administrative.

Anëtari nga LDK, Sami Hamiti, sqaroi se dokumenti i punëtorisë do të shërbejë si bazë për planin vjetor dhe planin e punës të KQZ-së, të cilat më pas do t’i dorëzohen Kuvendit. Çdo rekomandim do të rishqyrtohet përpara procedimit, duke përfshirë edhe ato që lidhen me afatet dhe ndryshimet eventuale kushtetuese.

Në të njëjtën mbledhje, u shty për herën tjetër miratimi i rekomandimit për ndarjen e mjeteve nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike për vitin 2026. Sipas drejtorit të Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, kjo u shty për arsye teknike, ndërsa buxheti mbetet rreth 4.8 milionë euro, sa ka qenë edhe vitin e kaluar. /Lajmi.net/