“Kosovën e bëmë, tash duhet t’i bëjmë kosovarët”

Krenaria për pavarësinë politike të Kosovës mund të ekzistojë përkrah vetë-identifikimit të njerëzve si shqiptarë. Në fund të fundit, ndoshta nuk ka edhe aq shumë rëndësi.

Lajme

14/02/2018 19:59

“Italinë e bëmë, tash duhet t’i bëjmë italianët”. Kështu është një thënie e famshme nga intelektuali dhe politikani Masimo Daxeljo (Massimo D’Azeglio) menjëherë pas formimit të shtetit italian në vitin 1860. Ishte thirrje për të krijuar bashkim kombëtar mes ndasive gjuhësore, kulturore dhe historike që e kanë përçarë gadishullin italian në një varg grupesh lokale grindavece.

Nuk kishte asgjë të veçantë në thirrjen e Daxeljos pasiqë në shekullin e nëntëmbëdhjetë po krijoheshin shtet-kombe tjera si rrjedhojë e vullnetit kolektiv, por që kërkonin përdorimin e të gjitha mjeteve – nga simbolet institucionale dhe festimet te edukimi publik, ndër të tjerash – për të krijuar ndjenjë besnikërie ndaj sistemit të ri politik.

Ajo thirrja e vjetër – dhe ajo shtysë – më ra në mend teksa reflektoja për përvjetorin e dhjetë të pavarësisë së Kosovës. Festova në rrugët e Prishtinës më 17 shkurt 2008, dhe më kujtohet se si ajri ishte pa dyshim i akullt, por plot mundësi. Vite më vonë, Kosova është shtet, por ku janë kosovarët? S’është pyetje e re kjo, në fakt e paraprin pavarësinë, edhe pse në fillim është parashtruar si pyetje e brendshme ndër shqiptarë. Më kujtohet që kam lexuar përgjigje të ndryshme në Java, të përjavshmen e Migjen Kelmendit më 2012.

Si e huaj e posaardhur, m’u duk i pakuptueshëm debati për ‘nuancat e shqiptarisë’ që tradhtohej nga ata që prinin drejt ndërtimit të një identiteti kosovar. Më është dashur të lexoj dhe të diskutoj tutje për ta vlerësuar thellësinë e ndjenjave kombëtare shqiptare dhe rëndësinë e emërimeve.

Sidoqoftë, pyetja se kush janë kosovarët mbetet, por ndoshta duhet të rishprehet në terme më pak abstrakte pasiqë Kosova tashmë ka institucione të pavarura. Çfarë mund të bëjë shteti i Kosovës për “t’i bërë kosovarët”? Dhe çfarë saktësisht do të thotë kjo?

Lidhur me rastin e Italisë, a mundi shteti t’i bëjë italianët? Më shumë se njëqind e pesëdhjetë vjet kanë kaluar, dhe përgjigjja ende është, sipas stilit të Facebook-ut: “it’s complicated”. Duke u përpjekur t’i luftojë ndasitë, Italisë i është dashur t’i mposhtë banditët jugorë dhe bojkotin e fortë ndaj Kishës Katolike; pastaj, ajo iu nënshtrua një rendi të pështirë fashist me qëllim mundjen e komunizmit, por përfundoi në një luftë shkatërrimtare, e lidhur me regjimin më të urryer në historinë e njerëzimit, nazistët; dhe si demokraci e re iu desh t’i shtypë forcat kundërshtuese të minoriteteve gjermanofolëse të veriut. Tani, pas gjithë kësaj, bashkimi kombëtar rrezikohet nga një lëvizje reaksionare separatiste që flet një dialekt që s’kuptohet fare nga pjesa tjetër e italianëve.

Sigurisht që Kosova ka pengesa më të mëdha për t’i bërë kosovarët. Vetë kushtetuta e saj, e cila nuk buron nga vullneti i popullit por më tepër rezultat i negociatave ndërkombëtare, njeh ndasitë etnike nga ana institucionale. Kjo e ndërlikon bashkimin. Minoritetet që janë integruar tradicionalisht, sikur pjesëtarët e komunitetit turk, janë bërë më të dallueshëm si mbajtës të fuqisë administrative në Mamushë ku janë shumicë demografike. Për minoritetin serb, më të madhin prej të gjithëve, Kosova nuk ekziston si shtet, edhe pse përfaqësuesit e tyre ulen në Kuvendin e Kosovës dhe ministrat e tyre marrin pjesë në takimet e qeverisë.

Nëse të qenit pjesë e shtetit s’do të thotë të jesh pjesëtar i komunitetit kombëtar, çfarë do të nevojitej për ta arritur atë rezultat? Është pyetje e vështirë, dhe shumë njerëz nuk kanë përgjigje, së paku derisa konflikti mes shqiptarëve dhe serbëve të zgjidhet, kur Kosova do të bënte mirë ta rishkruajë kushtetutën për t’i zbutur, e jo për t’i ringjallur, dallimet etnike.

Sa i përket shumicës shqiptare, ky nuk është vendi për ta rikthyer debatin që ka ndodhur në Java para shumë vjetësh. Dallimi mes përkrahësve të identitetit kosovar dhe atyre që duan ta quajnë veten shqiptarë është më pak i ashpër. Tregues që krenaria për pavarësinë politike të Kosovës mund të ekzistojë përkrah vetë-identifikimit si shqiptar janë talentet e reja si Rita Ora dhe Dua Lipa, apo kampionia e xhudos Majlinda Kelmendi që kanë gjasa t’i valëvisin që të dy flamurët. Në fund të fundit, ndoshta nuk ka edhe aq shumë rëndësi.

Por nëse kthehemi prapë te rasti i Italisë, pavarësisht separatistëve veriorë, italianët prapëseprapë ekzistojnë. Krahas të gjithave, shteti italian e bëri kombin italian. Sidoqoftë, çfarë nuk është bërë është një tip i posaçëm i bashkimit kombëtar – diçka ndryshe nga harmonizimi i ndasive rajonale dhe politike, të cilat ndoshta kurrë s’do të zhduken, dhe shpresoj që në një demokraci gjithmonë do ta kenë mënyrën për t’u shprehur.

Bërja e Italisë nuk ka arritur t’i shërojë italianët nga ato që udhëheqësit nacionalistë e idealistë të së kaluarës i kanë parë si cilësitë më të këqija të popullit, ndoshta të të gjithë njerëzve, dhe shkaku i vërtetë i ndasive: egoizmi, pandershmëria, mungesa e disiplinës. Në fakt, çfarë ka ndodhur është se të këqijat e njerëzve e kanë infektuar shtetin italian, i cili ka qenë jofunksional dhe është i korruptuar për një kohë të gjatë.

Lart shkrova se shteti i ri i Kosovës është i paaftë për nga kushtetuta t’i integrojë të gjithë popujt e vet. As nuk e ka zgjidhur “pyetjen e vjetër shqiptare”. Por çfarë sa i përket mundësisë për të krijuar bashkim moral, së paku në shumicën e saj.

Sipas një mendimi të përhapur, edhe në vend edhe jashtë, shteti i Kosovës nuk ka performuar aq mirë deri më tash. Përkundrazi, ajo akuzohet të jetë keqfunksionale dhe e korruptuar, që nënkupton se është infektuar me të këqijat e njerëzve të saj. Por e vërteta është se jo gjithkush është i pandershëm dhe vetjak, dhe ka energji dhe potenciale të stërmëdha në shoqëri, siç ka shkruar edhe Hana Marku në këtë gazetë, për ndryshime shoqërore dhe institucionale. Sidoqoftë, ndryshimi i vërtetë do të ndodhë vetëm kur një udhëheqësi e re dhe morale arrin t’i bashkojë njerëzit që e quajnë veten kosovarë.

Marrë nga BIRN