Kosovarët shpenzuan shumë në importin e duhanit në 2025, vlera financiare shkoi në 289 milionë euro

Në vitin që po lëm pas, kosovarët shpenzuan miliona euro në kuadër të importit të duhanit. Importi i duhanit dhe produkteve të tij në Kosovë ka shënuar rritje të konsiderueshme gjatë vitit 2025, duke ngritur shqetësime serioze për shëndetin publik. Të dhënat zyrtare të Doganës së Kosovës tregojnë se, krahas rritjes ekonomike të importit, po…

Lajme

04/01/2026 11:00

Në vitin që po lëm pas, kosovarët shpenzuan miliona euro në kuadër të importit të duhanit.

Importi i duhanit dhe produkteve të tij në Kosovë ka shënuar rritje të konsiderueshme gjatë vitit 2025, duke ngritur shqetësime serioze për shëndetin publik. Të dhënat zyrtare të Doganës së Kosovës tregojnë se, krahas rritjes ekonomike të importit, po rritet edhe ekspozimi i qytetarëve ndaj produkteve që dëmtojnë drejtpërdrejt shëndetin.

Gjatë vitit 2024, në Kosovë janë futur mbi katër milionë e 542 mijë kilogramë produkte të duhanit, me një vlerë që kalon 137 milionë euro. Ndërsa në vitin 2025, sasia e importuar ka arritur mbi katër milionë e 831 mijë kilogramë, ndërsa vlera financiare ka kaluar shifrën e 289 milionë euro, pothuajse dyfish më shumë se një vit më parë.

Pjesën më të madhe të importit vazhdojnë ta zënë cigaret që përmbajnë duhan, të cilat në vitin 2024 kanë arritur vlerën mbi 131 milionë euro, ndërsa në vitin 2025 kjo vlerë ka kaluar 145 milionë euro. Rritje e ndjeshme është shënuar edhe te cigaret elektronike njëpërdorimshme dhe pajisjet e tyre, të cilat po përdoren gjithnjë e më shumë, veçanërisht nga të rinjtë.

Ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë se rritja e konsumit të produkteve të duhanit lidhet drejtpërdrejt me shtimin e sëmundjeve kardiovaskulare, kancerit të mushkërive dhe problemeve kronike të frymëmarrjes. Sipas tyre, çdo rritje e importit përkthehet në rrezik më të madh për sistemin shëndetësor dhe në kosto afatgjata për trajtimin e sëmundjeve që shkakton duhani.

Përkundër të hyrave të konsiderueshme doganore, institucionet shëndetësore vazhdojnë të kërkojnë masa më të rrepta për kontrollin e tregut të duhanit, rritje të fushatave vetëdijesuese dhe mbrojtje më të madhe të të rinjve nga produktet e reja të nikotinës.

Në kuadër të produkteve më të importuara sipas Doganës janë: Duhan flue, puro, cigare që përmbajnë duhan, me zëvendësues të duhanit, duhan për llula me ujë (nargile), duhan për tymosje në paketime me peshë deri në 500 g, duhan për t’u përshtypur e për t’u nuhatur e të tjera.

 

Kurse importi i duhanit i lartë ishte edhe në vitin 2023:

4,140,934.60 kilogram duhan janë importuar në Kosovë gjatë vitit 2023.

117,641,461.60 ka qenë baza Doganore e duhanit të importuar gjatë vitit 2023.

9,343,812.44 ka qenë vlera e Doganës për duhanin e importuar gjatë vitit 2023

222,475,487.30 ka qenë vlera e akcizës për duhanin e importuar në Kosovë gjatë vitit 2023.

62,757,617.49 ka qenë vlera e TVSH-së për duhanin e importuar në Kosovë gjatë vitit 2023.

294,576,917.23 ka qenë vlera e taksave për duhanin e importuar në Kosovë gjatë vitit 2023./Lajmi.net/