“Kosova s’ka komoditet që në 2020-tën të ketë buxhet prej 2.6 miliardë eurove”
Eksperti i ekonomisë, Naim Gashi, ka thënë se Kosova nuk e ka komoditetin që për vitin 2020 të ketë buxhet prej 2.6 miliardëve.
Lajme
“Nga performaca e ATK-së dhe Doganës, formimi i këtyre të hyrave nuk i lejon Kosovës të ketë komoditet të rritjes prej 300 milionë euro. Kjo mund të bëhet duke shitur asete publike”.
“Huamarrja publike, këtu duhet qenë të kujdesshëm sepse kemi të bëjmë me fatura që nuk do t’i shlyejmë ne por gjeneratat e ardhshme. Ideja e huamarrjes publike dhe rritjes së buxhetit të shtetit bëhet për të siguruar projekte afatgjate, por jo të kemi huamarrje publike dhe të mos dihet se për çfarë do të shpenzohen ato mjete”, ka thënë Gashi, njofton Klan Kosova.
“Edhe për vitin 2019 ndarja e buxhetit ka qenë skandaloze kur 80% ndahet për asfalt, paga dhe meditje dhe vetëm 20% përdoret për zhvillim afatgjatë. Buxheti i shtetit është i fokusuar plotësisht në sektorin publik. Struktura e buxhetit të Kosovës ka nevojë për reformë rrënjësore”.
Në Klan Kosova ai ka thënë se prioritet i Qeverisë së re duhet të jetë kthimi i shpresës.
“Fokusi numër një duhet të jetë kthimi i shpresës – gjenerimi i vendeve të punës për të rinjtë. Të rinjtë po ikin nga Kosova, edhe shtresa e mesme sepse nuk po gjejnë arsim cilësor që nuk iu garanton një vend pune. Mijëra euro investohen jashtë për shërim. Sektori privat, arsimi dhe shëndetësia duhet të jenë prioritet. Mos të pretendojmë që bëhemi vend i zhvilluar përderisa të rinjtë tanë del se janë 5-6 vjet mbrapa atyre të BE-së”.
“Ekziston mekanizmi ligjor që Qeveria në ardhje me automatizëm para se ta dërgojë buxhetin për aprovim ajo ka mundësi t’ia ndërrojë destinimin dhe duhet ta bëjë këtë. Është e lejuar duhet ta destinojë në sektorin privat, shëndetësi dhe arsim”.