Kosova, shtet laik edhe në arsim – nuk ka vend për lëndën fetare në kurrikulat shkollore

Rreth 350 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme po marrin pjesë në një kurs të mësim-besimit në Medresenë Alauddin në Prishtinë, kurs ky i organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës.

Lajme

13/07/2019 16:00

Mirëpo, në këtë kurs, nuk u la pa u përmendur tema e futjes së lëndës së mësim-besimit nëpër shkolla.

Kryeimami i Prishtinës, Burhan Hashani është shprehur se shumica e nxënësve që vijnë në këtë kurs nuk dinë asgjë nga feja dhe gjërat që mësohen në këtë kurs janë elementare.

Bashkësia Islame e Kosovës, vazhdimisht ka kërkuar që fëmijët të mësojnë për fenë në shkolla. Sipas BIK-ut mësim besimi është standard demokratik që duhet, por ideja e futjes së lëndëve fetare në shkolla vazhdimisht ka shkaktuar debat të ashpër.

Por sa është e mundshme, e nevojshme dhe a duhet të ndodh kjo? Lajmi.net ka folur me ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, sociologë dhe ekspertë të arsimit, derisa nuk ka marrë përgjigje nga Bashkësia Islame e Kosovës për strategjinë e tyre të futjes së kësaj lënde nëpër shkolla.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në një përgjigje për lajmi.net janë shprehur se sistemi arsimor në Kosovë, me ligj dhe sipas dokumenteve kurrikulare është laik dhe feja nuk mësohet si lëndë mësimore.

“Sistemi arsimor në Kosovë (publik e privat) me ligj dhe sipas dokumenteve kurrikulare është laik dhe feja/religjioni nuk mësohet si lëndë mësimore në asnjë nivel të shkollimit, përveç në shkollat fetare (medrese, fakultetet e studimeve islame).

Megjithatë, nga MASHT-i për lajmi.net kanë thënë se feja mësohet si pjesë e kulturës njerëzore në kuadër të lëndëve të ndryshme.

“Megjithatë, sipas kurrikulës, nxënësit mësojnë për fenë si pjesë të kulturës njerëzore në kuadër të lëndëve të ndryshme mësimore të shkencave humane”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it.

Ndërsa, eksperti i arsimit, Rinor Qehaja është shprehur se mësim-besimi nuk është konceptualizuar siç duhet dhe njerëz jo-kompetent janë pjesë e debatit.

Çështja e mësim besimit duhet të mirë-definohet konceptualisht dhe përmbajtësish para se të debatohet për të. Në bindjen time shumëkush pjesë e debatit janë të painformuar dhe të pa thirrur për të vlerësuar diçka të tillë, andaj edhe debati është polarizuar tej mase. Mësim besimi është etiketuar ekskluzivisht si të mësuar religjioz, gjë që jo domosdoshmërisht qëndron – është pikërisht kjo që duhet të përcaktohet përmes një debati më të gjerë”, tha Qehaja për lajmi.net.

Më tutje, Qehaja është shprehur se në këtë situatë të arsimit, është më me interes të ngritët cilësia dhe llogaridhënia në arsim sesa çdo risi tjetër.

Besoj shumë në të mësuarit e vlerave dhe mirësjelljen si pjesë të religjionit, gjë që mbi të gjitha do të kontribuonte në nxënës qytetarë të ndërgjegjshëm, kjo, e ndërlidhur me kompetencat kryesore të të nxënit, pjesë e kurrikulës. Sikurse që të mësuarit e filozofisë apo sociologjisë së religjionit paraqet pjesë të kurrikulës në shume vende laike.

Në situatën në të cilën jemi, me mangësi të shumta në zbatim të kurrikluës dhe mësimdhënie, më me interes është që të ngritët cilësia dhe llogaridhënia në sistemin arsimor para çfarëdo risie tjetër, rikujtoj që shume reforma në arsimin në vend kanë përfunduar në improvizime – andaj nuk besoj që cilado palë ka interes që edhe çështja e mësim besimit të përfundoj si e tillë”, tha Qehaja për lajmi.net.

Ndërsa, imami Zuhdi Hajzeri është shprehur se e sheh të domosdoshme futjen e lëndës fetare në shkolla, por kurrikulat të zgjidhen me kujdes.

Mendoj se është e domosdoshme të futet lënda fetare në shkolla, por kurrikula dhe mësimet duhet zgjedh me kujdes nga shembuj të shumtë në botë dhe mbi të gjitha, Ministria e Arsimit së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme të vendosin kontakte me institucionet kredibile islame në botë, të cilat janë shembull për këtë”, tha Hajzeri për lajmi.net.

Sipas imamit Hajzeri, ligjëruesit e kësaj lënde do të duhej zgjedhur me tepër kujdes dhe me bashkëpunim të institucioneve kryesore të shtetit.

Hajzeri alarmon mundësinë që në këto lëndë do të mund të ligjëronin simpatizantë të ideologjive të ndryshme shkatërruese që do të ishin jashtëzakonisht të rrezikshëm.

“Ata që do ta shpjegonin këtë lëndë do të duhej të zgjedhur me kujdes nga Ministria e Arsimit, MPB, Policia dhe institucionet e sigurisë me qasje nga Shoqëria Civile dhe të zgjedhën persona të tillë që nuk kanë ndonjë lidhje me sektin vehabist ose ndonjë simpatizant i asaj ideologjie sepse kjo nënkupton vrasjen e nxënësve dhe shkatërrimin e Kosovës sepse tërë bota dhe vet bota arabe ku ka lindur dhe është kultivuar po ikin nga kjo ideologji ekstremiste”, tha Hajzeri.

Hajzeri tha se kjo lëndë duhet të futet në shkolla sepse nëse aplikohet mirë i ndihmon shtetit në edukim dhe sjellje.

Duhet të ndodh sepse nëse aplikohet drejtë dhe mirë i ndihmon shtetit dhe kombit në edukim, sjellje dhe kujdes dhe mendoj që dashuria e bashkëjetesa do të jetë shumë më e mirë”, tha Hajzeri.

Imami Hajzeri është shprehur se nuk e sheh pengesë që Kosova është shtet laik, futjen e lëndës fetare në shkolla.

Besoj që nuk ka pengesë se Kosova është shtet jo-religjioz me Kushtetutë sepse ka shumë shtete të tilla që lënda fetare praktikohet në shkolla, ndërsa sa i përket asaj se a mund të shpjegohet nga ana e sociologjisë, filozofisë ose historisë së religjionit mendoj se varet nga kurrikula dhe mësimet nëse mendohet se shpjegimi i fesë atëherë vështirë të shpjegohet nga këto anë, por duhet teolog i mirë edukuar dhe arsimuar drejtë në mësimet fetare dhe pas trajnimeve paraprake e nëse pajtohet apo bëhet një kurrikul atëherë ndryshe edhe nga këto prizma mund të shpjegohet”, tha Hajzeri për lajmi.net, i cili është pjesë e Qendrës Evropiane për Studime të Anti-Terrorizmit dhe Inteligjencës Gjermani dhe Holandë).

Sociologu Jeton Brajshori: Futja e lëndës fetare në shkolla, do të shkaktonte probleme të mëdha:

Mendoj që është e panevojshme të futet lënda fetare e mësim-besimit në shkolla, për arsye se do të shkaktonte më shumë telashe dhe do të kishte kërkesa shtesë nga ndonjë fe e cila ka më shumë praktikues, ndërsa nëse futet aty duhet të flitet në mënyrë të barabartë për të gjitha fetë e mëdha monoteiste. Problem tjetër që do të shfaqej do të ishte mbi atë se kush do të ligjërojë? A duhet klerikët fetarë apo mësimdhënësit, kjo do të shkaktonte edhe më shumë konfuzion dhe do të nxiste konflikte të panevojshme të natyrës se kush është kompetent. Kjo gjë nuk ju duhet nxënësve, praktikimi i fesë është çështje individuale dhe ashtu duhet të mbetet, nxënësit të mirat morale i mësojnë nga lëndë si “Edukata Qytetare”, është gabim që të bëhet një gjë e tillë. Nxënësit duhet të fokusohen në shkencë dhe në zhvillimin e mendimit kritik, duke lexuar literaturë përkatëse gjë që poashtu kanë të drejtë ta praktikojnë fenë varësisht se cilës i takojnë.

Gjatë fazës së studimeve, individi është i prirur të mendojë ndryshe dhe t’i zgjeroj njohuritë e tij, ku ka rastin të njihet me historinë e religjioneve, ndikimin e tyre, gjatë periudhave të ndryshme kohore dhe në disa departamente të ndryshme. Edhe pse Kosova është shtet laik, ne kemi një institucion si medreseja “Alauddin”, ku ka mjaftë të interesuar që vijojnë mësimet fetare, po ashtu edhe shumë organizata nga të gjitha religjionet, ushtrojnë aktivitetin e tyre duke proklamuar ideologjitë e tyre fetare”, tha Brajshori.

Sociologu Halim Emerllahu: Lënda fetare duhet të jetë në shkolla, nga perspektiva shkencore nxënësit të mësojnë më shumë për të bëmat e religjionit ndër periudha historike:

Diskutimet, debatet, mësimi, studimi për religjionin, perëndinë, perënditë, besimin, identitetin religjioz, sot edhe më herët ka zënë vend të rëndësishëm të studimit dhe debatit për religjionin në gjithë vendet perëndimore. Religjioni ka ndikuar në të gjitha periudhat e historisë, ka krijuar mundësi të luftës industriale, revolucion social, reformë agrare etj. Religjioni ka ngritur fenomene sociale, ka angazhuar studiues nga fusha të ndryshme, historike, filozofike, antropologjike e sociologjike. Edhe sot religjioni si bindje, si fenomen social, si revolucion, evolucion, si shpërfaqje e konflikteve padyshim duhet të jetë si lëndë në shkolla dhe të shihet nga afër, terminologjia, koncepti dhe teoria e religjionit.

Religjionet kanë qenë dhe janë të shumëllojshme dhe për këtë fakt, sociologët e kanë shumë vështirë të japin përkufizim për të përcaktuar një definicion të qartë për t’i përfshirë religjionet. Shembull, Emil Dyrkemi kishte thënë se “gjithçka që tejkalon kufijtë e dijeve tona, është bazë ose pikënisje e përvojës shoqërore-njerëzore, e cila quhet fe”. Shumë civilizime botërore ju referohen religjionit si i shenjtë, e mbinatyrshme, e lidhur me krijuesin. Dhe si definicion ky krijon frikë, besim, emocion, tolerancë, komunikim, bashkëpunim, lutje për krijuesin. Dhe sot, shumë studiues të shkencave shoqërore janë pro dhe kundër religjionit që lidhet me studimin shkencor, sepse sipas tyre librat fetarë mësojnë mjaft në lidhje me fenë përkatëse. Sot në shekullin XXI, në kohen postmoderne na duhet studimi shkencor për religjionin. T’i gjejmë veçoritë kryesore të religjionit, ndryshimet, funksionet në raport me shoqërinë, autoritetin e religjionit në shoqëri.

Po ashtu, feja sot zë vend të studimit për pasojat, përparësitë në shoqëri dhe këtu duhet të ligjërohet nga sociologët e filozofët dhe jo klerët fetarë. Se nxënësve ju duhet një edukim për religjionin është e qartë, për ta parë atë nga spektri shkencor në mënyrë që religjioni të shihet pjesë e socializmit të njeriut që nga lindja në vdekje. Sot në kohën që jetojmë shkollat kanë tejkaluar religjionin dhe shpikin shumë ideologji fetare dhe kanë humbur ndikimin fetar apo kanë zëvendësuar atë me ndonjë religjion apo fe politike. Se si religjionet na mësojnë për kongregacionin dhe segregacionin. Rasti me Irlandën veriore, po ashtu lufta mes Irakut e Iranit, vendet e Afrikës dhe Amerikës latine, janë disa argumente që mësimi fetar na duhet në shkolla“, tha Emerllahu për lajmi.net.

Tema e mësim-besimit në shkolla është ri-aktualizuar së fundmi së bashku me temën e lejimit apo mos-lejimit të nxënësve me shamija nëpër shkollat publike të Kosovës.

Tema të ndjeshme si këto ngjallin debate të ashpra në publik e gjithashtu edhe tek njerëzit në mbarë vendin të cilët janë praktikues të besimit fetar islam. /Nehat Sadiku/ Lajmi.net/