Kosova pret verdiktin 16 shtatori në sytë e kosovarëve nga Drenica në Podujevë
Më 16 shtator, pas më shumë se dy vjetësh gjykim, Haga do t’i japë Kosovës një verdikt për katër nga figurat më të njohura të luftës së saj: Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit – akuza për të cilat janë deklaruar të pafajshëm.…
Lajme
Më 16 shtator, pas më shumë se dy vjetësh gjykim, Haga do t’i japë Kosovës një verdikt për katër nga figurat më të njohura të luftës së saj: Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit – akuza për të cilat janë deklaruar të pafajshëm.
Por, larg sallës së gjyqit, Radio Evropa e Lirë udhëtoi nëpër Kosovë – nga fshatrat e Drenicës, ku lufta dhe UÇK-ja janë ende pjesë e kujtesës së përditshme, deri te qytetet ku një brez i lindur pas luftës e sheh atë histori nga larg – për të dëgjuar se çfarë do të thotë 16 shtatori për ta.
Rreth dy mijë kilometra larg Hagës në Holandë gjendet fshati Burojë i Skënderajt, vendlindja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, tash e gati gjashtë vjet në paraburgim në Hagë.
Për Kadri Thaçin, bashkëfshatar dhe i afërt me familjen e ish-presidentit, verdikti që pritet më 16 shtator, nuk është thjesht një vendim gjykate.
Pas më shumë se dy vjetësh gjykim, atë ditë Gjykata Speciale pritet të shpallë aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Edhe pse shpreson për lirimin e tyre, vetëm mendimi për një dënim të mundshëm e rëndon.

“Në qoftë se dënohen, inshallah jo… Ndjehem keq. S’kam qejf as ta mendoj”, thotë 62-vjeçari.
Për të, akuzat ndaj Thaçit nuk përputhen me njeriun që ka njohur. Ai e përshkruan ish-kreun e UÇK-së si “shumë njeri të butë, shumë njeri të mirë, shumë njeri të dashur” dhe thotë se, qysh nga fëmijëria, ai ishte “i veçantë” në fshat.
Kadri Thaçi, banor i Burojës, dhe fshati i tij.
Tash e gati gjashtë vjet, prej kur Thaçi, Selimi, Veseli e Krasniqi janë në paraburgim në Hagë, në Burojë procesi është bërë pjesë e bisedave të përditshme mes bashkëfshatarëve.
Pak kilometra më tej, në zemër të Drenicës, ndodhet Likoci i Skënderajt.
Dy fshatrat janë pranë njëri-tjetrit, por Likoci ka një vend të veçantë në historinë e luftës së UÇK-së.
Gjatë viteve 1998-1999, aty ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

Fshati ishte një nga qendrat e rëndësishme të organizimit të luftës.
Sot, në Likoc, ky shtab është shndërruar në muze.
Jo shumë larg tij ndodhet edhe autolarja e Nusret Kadriut, veteranit të UÇK-së.
Si bashkëluftëtar i të akuzuarve, 45-vjeçari thotë se vazhdimisht e ka ndjekur procesin, që për të ka qenë shumë emocional.
Ai ishte ende i ri dhe sapo kishte filluar punën si mësimdhënës i muzikës kur kishte vendosur t’i bashkohej UÇK-së.
Tani, më shumë se dy dekada më vonë, ai ndien se edhe ai po gjykohet përkrah katër të akuzuarve në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Si Kadriu, ashtu edhe bashkëfshatari i tij, Dritani, janë të bindur se 16 shtatori do të jetë ditë feste.

Dritani, i cili ka dhjetëra vite që jeton në Austri, tregon se e mërkura e vendimit do ta gjejë atë në Hagë, jashtë Dhomave të Specializuara të Kosovës.
I bindur se katër të akuzuarit do të shpallen të pafajshëm, ai do të niset me idenë për të festuar me pjesëtarë të tjerë të mërgatës që kishin ikur nga Kosova, shkaku i luftës së viteve 98-99.
Por, edhe pse i sigurt se ata do të shpallen të pafajshëm, për të kjo gjykatë, në vetvete, është e “padrejtë dhe e mbrapshtë”.
Gjykata Speciale ishte krijuar në vitin 2015, pas hetimeve të nisura mbi pretendimet për krime të rënda të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Procesi i krijimit të saj lidhej me raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, të udhëhequr nga senatori zviceran, Dick Marty, dhe me hetimet e mëvonshme të Task-Forcës Speciale të BE-së.
Synimi ishte që këto pretendime të hetoheshin dhe, nëse kishte prova të mjaftueshme, të ndiqeshin penalisht në një proces të pavarur dhe të mbrojtur nga ndërhyrjet dhe presionet që mund të shoqëronin rastet e ndjeshme në Kosovë.
Por, si Dritani, skepticizëm ndaj kësaj gjykate shprehin edhe qytetarët në Suharekë, ku një pjesë e madhe e familjeve kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me mërgatën.
Në raport me numrin e banorëve, kjo komunë ka një nga përqindjet më të larta të njerëzve që jetojnë jashtë Kosovës. Për shumë prej tyre, largimi kishte nisur qysh para luftës.

Jemin Buzhala, nga Budakova, është një prej tyre. Ai jeton prej 18 vjetësh në Itali dhe e pret me optimizëm vendimin e 16 shtatorit.
“Ne po e presim me gëzim. Dalja e UÇK-së, plus ardhja e forcave të bashkuara ndërkombëtare… i realizuam ato çfarë patëm dëshirë”, thotë Buzhala, duke shtuar se është i bindur se kosovarët do të kenë arsye për festë edhe më 16 shtator.

Edhe Hasan Selimi, nga Suhareka, jeton në mërgatë qysh nga viti 1977.
Por, megjithëse kishte shkuar në fillimet e viteve të tij të 20-ta në Zvicër, tani 70-vjeçari thotë se vazhdimisht është informuar për luftën në Kosovë dhe procesin gjyqësor në Hagë.
“S’ka kurrfarë arsyeje që të dënohen. Por, nëse politika vendos, e jo drejtësia, atëherë kjo është tjetër gjë”, thotë Selimi.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit përfshin gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte.
Sipas Prokurorisë, krimet e pretenduara, përfshirë vrasje, torturë, ndjekje, burgosje dhe zhdukje të detyruar, janë kryer nga pjesëtarë të UÇK-së ndaj qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime, në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, nga marsi 1998 deri në shtator 1999.
Ata janë deklaruar të pafajshëm për këto akuza.

Në aktakuzën e Hagës, Llapashtica e Podujevës përmendet si një nga lokacionet ku, sipas Prokurorisë, u mbajtën persona të ndaluar gjatë luftës.

Sipas aktakuzës, nga nëntori 1998 deri në mars 1999, të paktën 52 persona u mbajtën në një objekt pranë Shtabit të Zonës Operative të Llapit, pa proces të rregullt ligjor.
Prokuroria pretendon se të ndaluarit u përballën me kushte të rënda, ndërsa disa prej tyre edhe me rrahje dhe forma të tjera të keqtrajtimit.
Por, banorët e këtij fshati thonë se e mbajnë mend luftën ndryshe.

Burim Muçiqi ishte tetëvjeçar kur nisi lufta në Llapashticë.
Ai kujton mëngjesin e 24 dhjetorit 1998, kur granatimet nisën rreth orës shtatë dhe familja e tij u strehua në një bodrum.
Mësimi u ndërpre dhe banorët e fshatit, fëmijë e të moshuar, u nisën drejt Popovës, një fshat tjetër në Podujevë.
“Na kanë përcjellë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare. Nuk na kanë lënë vetëm në asnjë moment”, kujton Muçiqi.
Sot, ai e përcjell procesin në Hagë me kujtimin e atyre ditëve, i bindur se akuzat që rëndojnë mbi ish-krerët e UÇK-së, janë të pabaza.
Vetëm pak metra larg shtëpisë së tij ndodhet shtëpia që dikur strehonte shtabin e zonës së Llapit.
Ajo ishte djegur gjatë luftës në Kosovë, por pronarët e kanë rindërtuar që të ketë pamje të ngjashme.

Dyert dhe dritaret janë po aty ku kishin qenë, ndërsa ngjyra e shtëpisë është i vetmi dallim i madh në këtë objekt.
Veterani i UÇK-së, Muharrem Muçiqi, qëndron para kësaj shtëpie teksa tregon për atë se si ai e mban mend luftën në këtë zonë.
Ai thotë se në Llapashticë kishte pasur presion të vazhdueshëm nga forcat serbe edhe para se të vendosej aty UÇK-ja.

Sipas tij, ardhja e ushtarëve solli një organizim më të madh në zonë, ndërsa ai vetë iu bashkua UÇK-së më 20 maj 1998.
Ai thotë se e ka përcjellë gjykimin dhe i mohon pretendimet për keqtrajtime në Llapashticë.
Për Muçiqin, edhe shtëpia para së cilës ndodhet, është dëshmi se aty nuk kishin ndodhur krime pasi kujton vizitat e misionit të OSBE-së dhe të gazetarëve të huaj në këtë vend.
Kjo shtëpi në Llapashticë tani nuk ka as ndonjë pllakë që tregon se aty qëndronte Shtabi i Zonës së Llapit.
Edhe në pjesët e tjera të fshatit nuk shihen simbole të shumta të UÇK-së apo flamuj, si në zonën e Drenicës.
Megjithatë, Muharremi dhe banorë të tjerë thonë se presin lirimin e të akuzuarve në Hagë.
Ai beson se “drejtësi” mund të thuhet që ka vetëm nëse ata shpallen të pafajshëm, ndërsa dënimi i tyre do të ishte “padrejtësi” e nxitur nga qëllime politike.
Qëndrimi i tij për Gjykatën Speciale nuk është i pazakontë në Kosovë. Të dhënat e Grupit për Studime Juridike dhe Politike tregojnë se qytetarët e Kosovës i kanë dhënë kësaj gjykate një mesatare prej 2.56 pikësh nga 5, kur janë pyetur se sa i besojnë asaj për të dhënë drejtësi në mënyrë të drejtë dhe të pavarur.
Edhe shumë qytetarë të tjerë nëpër Kosovë, që nuk pranuan të flasin para kamerës për këtë temë, thanë se presin që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi të lirohen.
Që nga arrestimi dhe transferimi i tyre në Hagë, në nëntor të vitit 2020, në Kosovë dhe jashtë saj janë organizuar disa protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Fotografi nga protestat e ndryshme kundër Gjykatës Speciale në Hagë, REL.
Ndërkohë, pavarësisht se kanë përcjellë zhvillimet në Hagë, shumë pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë nuk kanë pranuar ta komentojnë atë publikisht.
Ata thanë se u frikësohen tensioneve dhe reagimeve që mund të nxisin deklarimet e tyre.
Foto nga Gracka e Vjetër, e banuar me shumicë serbe, në Lipjan.
Por, Jasmina Zhivkoviq nuk ndien frikë. Kur mendon Gjykatën Speciale, ajo ndien vetëm zhgënjim.
Tash e 27 vjet, ajo kërkon të mësojë se çfarë ka ndodhur me babanë e saj, i cili është në mesin e rreth 1.600 personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.
Familja e saj, thotë ajo, e raportoi rastin te KFOR-i, UNMIK-u, Kryqi i Kuq dhe institucionet e tjera ndërkombëtare që vepronin atëherë në Kosovë.
Ajo kishte shpresuar që Gjykata Speciale dhe Prokuroria e Specializuar do të ndihmonin në zbardhjen e rasteve të personave të zhdukur. Por, koha e zhdukjes së babait të saj – 28 shtator 1999 – e la rastin jashtë periudhës kohore të aktakuzës aktuale, e cila mbulon krimet e pretenduara nga marsi 1998 deri në fillim të shtatorit 1999.
Për këtë arsye, ajo nuk pret që vendimi i 16 shtatorit të ndryshojë shumë për të personalisht.
Zhivkoviq thotë se e ka humbur shpresën se ky proces do ta zbardhë fatin e babait të saj dhe beson se gjykimi është zhvilluar më shumë rreth përplasjeve politike sesa rreth viktimave.
Më pak të interesuar për këtë proces janë shprehur të rinjtë me të cilët ka folur Radio Evropa e Lirë në Prishtinë.
