Kosova përmes Konferencës së Berlinit synon të ftojë investitorë
Kosova do të prezantojë disa projekte, duke u bërë thirrje gjermanëve që të investojnë në vendin tonë.
Lajme
Kjo do të ndodhë në Konferencën e madhe për Ballkanin që javën e ardhshme, në Berlin, e organizon kancelarja Angela Merkel. Konferencat për perspektivën evropiane të Ballkanit pritet të jenë tradicionale dhe vitin e ardhshëm e organizmi do të ndodhë në Vjenë.
KTV-ja ka zbuluar agjendën e këtij niveli të lartë të konferencës me kryeministrat e Ballkanit.
Qeveria e Kosovës pritet të prezantojë disa projekte të mëdha investive në këtë konferencë.
Kjo ka qenë edhe një nga kërkesat e Qeverisë gjermane për qeveritë e vendeve të rajonit për të reflektuar nga kryeministrat në projektet e tyre shtetërore dhe ato me rëndësi për rajonin.
Kryeministrat e rajonit përfshirë edhe kryeministrin e Kosovës në detyrë, Hashim Thaçi, do të flasin për perspektivat e tyre për rajonin, të ardhmen evropiane dhe projektet e mundshme për investime në shtetet përkatëse.
Krahas agjendës së kryeministrave, do të organizohet edhe takimi me ministra të jashtëm të vendeve të rajonit, udhëhequr nga kryediplomati gjerman, Frank Waltersteinmeier, ku Kosovën do ta përfaqësojë ministri, Enver Hoxhaj.
Në sesionin e diskutimeve me kryediplomatët, do të flitet për çështje të hapura bilaterale ndërmjet vendeve, qeverisjen e mirë ekonomike dhe raportet e Ballkanit me vende të tjera jashtë BE-së si me Rusinë në çështjen e Ukrainës.
Po ashtu, në këtë takim të nivelit shumë të lartë, do të jetë i pranishëm edhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebasitan Kurz si edhe komisionari për Zgjerimin, Stephan Fule, përcjell koha.net.
Ndërkohë, ministrat e Ekonomisë do të flasin për bashkëpunimin në rajon në fushën e energjisë, teknologjisë dhe infrastrukturës.
Gjithashtu, do të flitet edhe për promovimin e punësimit.
KTV-ja merr vesh se kjo iniciativë e Gjermanisë, do të shndërrohet në tradicionale, kurse Konferencën ballkanike, vitin e ardhshëm do ta organizojë Austria. Krerët shtetërorë të këtij vendi do të marrin pjesë në konferencën e këtij viti.
Në konferencën përmbyllëse të shtypit, do të flasin kancelarja Angela Merkel, presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso si edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, vendi i të cilit udhëheq Presidencën e radhës të organizatës rajonale SEECP, ku Kosova u bë anëtare këtë vit.