Kosova me Ujkanin, Sadikun e Bajramin

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri i është kundërpërgjigjur provokimit të portalit Kurir duke konfirmuar se do të jetë tifoz i Shqipërisë në duelet kundër Serbisë në kuadër të 2016. Për më tepër, kreu i futbollit kosovar komentoi edhe miqësoren kundër Haitit, takimin me presidentin e UEFA’s, Michel Platini, prurjet e…

Sport

25/02/2014 10:46

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri i është kundërpërgjigjur provokimit të portalit Kurir duke konfirmuar se do të jetë tifoz i Shqipërisë në duelet kundër Serbisë në kuadër të 2016.

Për më tepër, kreu i futbollit kosovar komentoi edhe miqësoren kundër Haitit, takimin me presidentin e UEFA’s, Michel Platini, prurjet e reja në ekip dhe Adnan Januzajn.

Si po shkojnë përgatitjet për ndeshjen kundër Haitit?

Vokrri: “Gjithçka po shkon në rrjedhën normale. Kemi ekip solid, andaj e vlerësojmë Haitin. Selektori ynë Albert Bunjaku është i bindur për rëndësinë e ndeshjes, njësoj si të gjithë ne, andaj kërkojmë fitore”.

Çka keni biseduar me Platinin?

Vokrri: “Asgjë speciale. Ka qenë një takim jozyrtar. Nuk u kam treguar gazetarëve në Prishtinë se për çka kemi biseduar andaj nuk do të ishte korrekte që ta zbuloj këtë për ju në Beograd”.

Me çfarë përbërje do të luani në miqësoren e 5 marsit kundër Haitit?

Vokrri: “Selektori Bunjaku do të publikojë listën tri ditë para ndeshjes. Sigurisht se nuk do t’i ftojmë futbollistët tanë që luajnë për Zvicrën, Shqipërinë, dhe disa përfaqësuese tjera. Nuk është sportive, dhe ne jemi për respektimin e fair-playt”.

A do të ketë ndoshta serbë në ekipin e juaj sepse e keni paralajmëruar më parë?

Vokrri: “Nuk e shikoj përkatësinë kombëtare dhe besimin e ndonjë futbollisti. Cilido që e pranon Kosovën si shtetin e tij mund të luajë për ne. Qoftë ai shqiptar, serb ose malazez”.

E keni parë shortin për Euro 2016. Çka mendoni për ndeshjet mes Serbisë dhe Shqipërisë?

Vokrri: “Tashmë ka filluar të flitet se nuk do të jetë një takim i zakonshëm, por jam i bindur se do të jenë duele normale. Në vend të Tiranës, do të luhet në Elbasan, sepse atje është duke u ndërtuar një stadium i madh dhe modern”.

Duke pasur parasysh se jeni afirmuar si futbollist në Serbi, për kënd do të jeni tifoz?

Vokrri: “Pse ma bëni këtë pyetje? Ndoshta e dini se jam shqiptar”.

Kush do të ftohet për Kosovën në mesin e futbollistëve të njohur?

Vokrri: “Do të kemi futbollistë nga niveli solid. Ylli i parë është pa dyshim portieri Samir Ujkani, që mbron në Itali, dhe ishte edhe portier i Shqipërisë. Do të veqoja edhe dy futbollistë të tjerë nga Suedia, Loret Sadiku dhe Emir Bajrami”.

A e keni bindur Adnan Januzajn?

Vokrri: “Ende nuk kam zhvilluar takim me të dhe familjen e tij. Pres që të takohemi dhe që Januzaj në të ardhmen të luajë për ne. Bëhet fjalë për një futbollist me perspektiv të madhe. Por, do të jetë ai që do të vendos për kënd do të luajë”.