Kosova heton Vulinin

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve kundër Aleksandër Vulin, Ministër pa protofol në Qeverinë e Serbisë, për kalim ilegal të kufirit. Ai dyshohet të ketë kryer vepër penale.

Lajme

24/10/2013 15:15

Departamenti i Përgjithshëm i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka marrë sot aktvendim për fillimin e hetimeve kundër Aleksandër Vulin, Ministër pa protofol në Qeverinë e Serbisë.

“Ky aktvendim u mor për arsye se ekziston dyshimi i arsyeshëm se Aleksandër Vulin,  më 17 tetor 2013, në kohën e pacaktuar, në mënyrë të paautorizuar, ka kaluar kufirin e Republikës së Kosovës me Serbinë, jashtë vendkalimit kufitar të autorizuar dhe ka hyrë në territorin e Republikës së Kosovës. Me këtë ka kryer vepër penale, Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose vijës kufitare nga neni 146 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Kosovës.

“Hetimet sipas këtij aktvendimi fillojnë nga dita e sotme, 24 tetor 2013, pasiqë ekziston dyshimi i bazuar se z. Vulin ka kryer vepër penale dhe me qëllim që në procedurën hetimore të mblidhen prova në bazë të së cilave do të vendoset se a do të ngritet aktakuzë apo hetimi do të pushojë”.

“Gjithashu, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Përgjithshëm po sot ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë që të lëshojë urdhër-arrest ndaj të pandehurit Vulin”.