Konjufca nga Forumi i Dubrovnikut: Kosova mbetet e përkushtuar për fqinjësi të mirë
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në edicionin e sivjetshëm të Forumit të Dubrovnikut, ku janë mbledhur përfaqësues shtetesh, diplomatë dhe ekspertë të politikës ndërkombëtare për të diskutuar mbi zhvillimet globale dhe të ardhmen e Evropës. Konjufca bëri të ditur se në këtë forum ka përfaqësuar qëndrimet…
Lajme
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në edicionin e sivjetshëm të Forumit të Dubrovnikut, ku janë mbledhur përfaqësues shtetesh, diplomatë dhe ekspertë të politikës ndërkombëtare për të diskutuar mbi zhvillimet globale dhe të ardhmen e Evropës.
Konjufca bëri të ditur se në këtë forum ka përfaqësuar qëndrimet e Kosovës lidhur me çështjet që prekin rajonin dhe perspektivën e tij evropiane.
Në margjinat e forumit, ai zhvilloi një takim me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić Radman, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë për integrimin euroatlantik të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në NATO dhe në Këshillin e Evropës.
Po ashtu, kryediplomati mori pjesë në panelin “The EU and the Western Balkans: Resolving Unfinished Business Together”, ku u diskutuan sfidat e pazgjidhura të Ballkanit Perëndimor dhe rruga drejt integrimit evropian.
Ky është postimi i plotë i tij:
Në forumin e sivjetshëm të Dubrovnikut, ku u mblodhën përfaqësues shtetesh, diplomatë e mendimtarë politikë për të diskutuar mbi rendin e ri ndërkombëtar, pata rastin të përfaqësoj qëndrimin e Kosovës për çështjet që prekin rajonin tonë dhe të ardhmen e tij evropiane.
Në margjina të forumit zhvillova një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić Radman. Kroacia mbetet një vend mik dhe partner i rëndësishëm i Kosovës. Biseduam për marrëdhëniet tona shumë të mira, për bashkëpunimin në siguri dhe mbrojtje, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme kroate ndaj rrugës euroatlantike të Kosovës, përfshirë NATO-n dhe Këshillin e Evropës.
E falënderova Ministrin Radman për mikpritjen në Dubrovnik, për organizimin e këtij forumi të rëndësishëm, dhe për përkrahjen e qartë që Kroacia i ka dhënë Kosovës në momentet e saj të rëndësishme.
Po ashtu, mora pjesë në panelin “The EU and the Western Balkans: Resolving Unfinished Business Together”, ku diskutuam për sfidat e hapura të Ballkanit Perëndimor dhe për nevojën që paqja, stabiliteti dhe e ardhmja evropiane e rajonit të ndërtohen mbi parime, jo mbi shtyrje të pafundme.
Kosova mbetet e përkushtuar për fqinjësi të mirë, bashkëpunim rajonal dhe për vendin që i takon në familjen euroatlantike.