Kosova bëhet me ushtri, menjëherë pas konstituimit të parlamentit të ri
Kryeministri në largim, Hashim Thaçi ka deklaruar se të mërkurën ka pasur një takim të frytshëm me një delegacion të lartë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, dhe se menjëherë pas konstituimit të parlamentit të ri, Kosova do të bëhet me ushtrinë e saj.

Lajme
Në një shkrim të postuar në profilin e tij në Facebook, pas takimit me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të kryesuar nga presidenti i saj, Hugh Bayley, kryeministri Thaçi ka shkruar se Kosova tashmë ka shpallur formimin e Forcave të Armatosura dhe pret konstituimin e Kuvendit që të vazhdohet me hapat e mëtutjeshëm.
“Pata një takim të frytshëm me një delegacion të lartë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Kosova tashmë ka shpallur formimin e Forcave të Armatosura dhe presim konstituimin e Kuvendit që të vazhdojmë me hapat e mëtutjeshëm”.
“Falënderova NATO AP për hapin historik të konfirmimit të Kosovës si anëtare vëzhguese e saj, hap ky që shënon edhe fillimin e një ndërveprimi zyrtar në mes Kosovës dhe organizatës Atlantike. Hapi i ardhshëm – Partneriteti për Paqe”, ka shkruar Thaçi.