Korniza Afatmesme e Shpenzimeve nuk trajtohet mjaftueshëm për të siguruar planifikime buxhetore në përputhje me prioritetet strategjike

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) bëri publik raportin e performancës “Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2018–2020 në sektorin e arsimit dhe të infrastrukturës”. Raporti konstaton se Korniza Afatmesme e Shpenzimeve (KASH) nuk trajtohet mjaftueshëm për të siguruar planifikime buxhetore në përputhje me prioritetet strategjike.

Lajme

31/12/2019 12:37

Auditimi vë në pah se planifikimi, zbatimi dhe monitorimi i realizimit të objektivave strategjike nuk është në nivelin e duhur. Sipas auditorit, kjo ka bërë që të zbehet rëndësia dhe qëllimi që ka Korniza Afatmesme e Shpenzimeve (KASH) në planifikim afatgjatë të objektivave dhe buxhetit.

ZAK, thotë se Korniza Afatmesme e Shpenzimeve nuk është plotësisht në funksion të një planifikimi të qëndrueshëm.

Sipas të gjeturave të auditimit, Zyra për Planifikim Strategjik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit nuk ka arritur të bëjë bashkërendim të aktiviteteve të saj, monitorim dhe raportim të vazhdueshëm të implementimit të objektivave strategjike në mënyrë që të hartojë një deklaratë të duhur të prioriteteve.

Kurse, Ministria e Financave (MF) ka bërë hartimin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve në mënyrë të përgjithësuar nëpër sektorë por jo edhe sipas organizatave buxhetore, kjo e bënë të vështirë ndërlidhjen, vlerësimin dhe mbikëqyrjen e aktiviteteve për organizata.

Ndërsa, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) si dhe Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), nuk kanë arritur të bëjnë planifikim të duhur financiar të projekteve/aktiviteteve dhe realizim të buxhetit për projekte të caktuara duke rrezikuar realizimin e objektivave strategjike qeveritare. Për më shumë, këto dy ministri kishin planifikuar dhe realizuar projekte jashtë objektivave strategjike.

Zyra Kombëtare e Auditimit i rekomandon autoritetet përgjegjëse që të sigurojnë hartim dhe miratim të duhur të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, e cila duhet të shërbej si dokument kyç për planifikimin e aktiviteteve strategjike dhe atyre vjetore.

Objektivë e këtij auditimi është vlerësimi nëse procesi i përgatitjes dhe zbatimit të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) ka adresuar objektivat strategjike të përcaktuara, për planifikim të mirëfilltë dhe financim të politikave prioritare në vend.

Auditimi përfshin periudhën për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2018 – 2020 me fokus vitin 2018 ndërsa, për nevoja krahasimore mbulon edhe periudhën e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2017–2019.

Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë vegëz: http://www.zka-rks.org/wp-content/uploads/2019/12/Raporti-Auditimit-KASH.pdf