Koreja e Veriut, tjetër raketë balistike, SHBA-Kore e Jugut, duke analizuar

Koreja e Veriut ka lëshuar një tjetër raketë balistike, sipas asaj që kanë bërë të ditur zyrtarë ushtarakë të Jugut fqinj.

Bota

28/11/2017 21:11

Pentagoni njoftoi menjëherë se është duke vlerësuar lëshimin “e mundshëm”, që thuhet të ketë ndodhur rreth orës 3:30 të mëngjesit me orën lokale, ose 19:30 me orën tonë.

Agjencia e lajmeve koreano-jugore, “Yonhap” raporton se raketa ka fluturuar drejt lindjes nga Pyongsongu, një provincë në Pyonganin Jugor.

Vendi i izoluar komunist ka ndërmarrë një seri testesh raketore gjatë muajve të fundit, duke shtuar tensionet me fqinjët e saj dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ende nuk është e qartë sesa larg ka shkuar raketa e fundit, apo nëse ka fluturuar mbi Japoni apo jo, siç ka ndodhur edhe me raketa të tjera gjatë këtij viti.

Testi i fundit i raketave balistike nga Koreja e Veriut ka qenë në shtator, vetëm pak ditë pasi kishte kryer testi i gjashtë bërthamor.

Autoritetet koreano-jugore dhe ato amerikane po punojnë së bashku për të analizuar trajektoren e raketës së fundit, sipas deklaratës së publikuar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë koreano-jugore.

Presidenti amerikan Donald Trump është informuar mbi ngjarjen teksa raketa ishte ende në fluturim, njofton Shtëpia e Bardhë. Në atë kohë, ai ishte duke vizituar Kongresin, por prej atëherë është kthyer menjëherë në Shtëpinë e Bardhë.

Ushtria e Koresë së Jugut njofton se i është kundërpërgjigjur lëshimit, me një raketë stërvitore të sajën. Veriu i izoluar komunist mendohet se ka fokusuar të gjitha përpjekjet në krijimin e raketave me rreze të gjatë veprimi, saqë të mund të arrijnë territorin kontinental të Shteteve të Bashkuara.

Zyrtarë të Penianit janë shprehur më herët se raketa me rreze të gjatë e testuar në korrik mund të godiste “çdo cep të botës”, por ushtria amerikane e ka quajtur atë një raketë me rreze të mesme veprimi./Top Channel/