“Kontributive, parciale kontributive dhe familjare” – Tri kategoritë e pensioneve që nuk e kanë obligim të lajmërohen çdo gjashtë muaj

Gjykata Supreme, në dhjetor të vitit që kemi lënë pas, ka shpallur të paligjshme dhe i ka shfuqizuar nenet e një udhëzimi administrativ që obligonte pensionistët të paraqiteshin në departamentin për pensione për të dëshmuar se janë gjallë, ose në të kundërtën përballeshin me humbje të pensioneve. Supremja kishte thënë se ka pranuar kërkesën e…

Lajme

19/01/2026 15:00

Gjykata Supreme, në dhjetor të vitit që kemi lënë pas, ka shpallur të paligjshme dhe i ka shfuqizuar nenet e një udhëzimi administrativ që obligonte pensionistët të paraqiteshin në departamentin për pensione për të dëshmuar se janë gjallë, ose në të kundërtën përballeshin me humbje të pensioneve.

Supremja kishte thënë se ka pranuar kërkesën e paditësit E.Sh., ndaj Ministrisë së Financave dhe Transfereve, Departamentit të Pensioneve.

Sipas gjykatës, paragrafët në udhëzimin administrativ për procedurat e lajmërimit, suspendimit dhe pagesat dhe kthimin e mjeteve në rastet e keqpërdorimit të pensioneve, që parashihnin pasoja për pensionistët, siç është ndalja e pensioneve, nuk janë në harmoni me ligjin.

Supremja tha se i takon Ministrisë që të monitorojë dhe identifikojë nëse një pensionist ka vdekur.

“Nëse pensionisti nuk lajmërohet siç është përcaktuar, Ministria obligohet që të monitorojë burimet ekzistuese të informatave me qëllim të identifikimit të pensionistëve që kanë vdekur”, tha Supremja.

“Pra, përgjegjësia e parë për verifikimin e statusit të jetës së pensionistit është e vetë organit publik dhe jo e qytetarit. Kjo dispozitë krijon detyrimin që Ministria të shfrytëzojë çdo mekanizëm administrativ dhe çdo burim zyrtar të informatave përpara se të ndërmarrë masa kufizuese ndaj pensionistit. Ligji ka paraparë një mekanizëm që mbështetet në verifikim aktiv nga ana e Ministrisë dhe jo në barrë disproporcionale ndaj pensionistit”, u shtua në njoftim.

Në aktgjykimin për këtë rast thuhet se suspendimi i pagesës së pensionit duhet të jetë masa e fundit dhe jo e para.

“Për këtë arsye, gjykata konstaton se dispozitat e Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015, të cilat e trajtojnë moslajmërimin si shkak të domosdoshëm për suspendim dhe i shoqërojnë me pasoja materiale të pakthyeshme, janë të kundërligjshme. Ligji ka paraparë një mekanizëm që mbështetet në verifikim aktiv nga ana e Ministrisë dhe jo në barrë disproporcionale ndaj pensionistit”.

Sipas vendimit, Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti nuk ka asnjë element që i japin kompetenca Ministrisë që të krijojë afate materiale, të vendosë humbje të pensioneve ose të ndryshojë statusin e përfituesit në rast moslajmërimi.

Por, sa po zbatohet ky vendim? 

Disa qytetarë drejtuar në adresë të redaksisë së lajmi.net, kanë thënë se ky vendim nuk po zbatohet.

Ata janë shprehur se përsëri po janë të detyruar që prindërit e tyre të shtyrë në moshë, t’i dërgojnë për t’u lajmëruar çdo gjashtë muaj.

“Të nderuar, ju lutem njoftoni se administrata pensionale: nuk po e respekton vendimin e gjykatës, për mos lajmërim të pensionistave që të konfirmohet se ende jetojnë, unë e kam nënën 91 vjeçare, me datë 8 janar 2026, kam shkru email drejtorisë rajonale të Prizrenit, për të ardhur në shtëpi për ta konfirmu se nëna ende jeton, nuk kanë ardhur si zakonisht dhe si pasoj nuk ka dal pensioni këtë muaj”, ka thënë një qytetar për lajmi.net.
Lajmi.net, ka dërguar pyetje tek Ministria e Financave, për të pyetur se pse ky vendim i Gjykatës Supreme nuk po respektohet.
Nga Ministria e Financave, kanë thënë se Gjykata Supreme ka marrë vendim që nuk duhet të paraqiten më përfituesit e pensioneve kontributive, pensioneve parciale kontributive dhe pensioneve familjare. Sipas kësaj Ministrie, kategoritë e tjera të pensioneve që nuk përfshihen në grupin e mësipërm duhet të paraqiten çdo gjashtë muaj.

“Në bazë të Aktgjykimit P.A. nr. 16/2025, Gjykata Supreme ka shfuqizuar pjesërisht Udhëzimin Administrativ nr. 05/2015, duke hequr detyrimin e paraqitjes së rregullt për disa kategori pensionistësh. Si rrjedhojë, obligimi për paraqitje nuk vlen më për përfituesit e pensioneve kontributive, pensioneve parciale kontributive dhe pensioneve familjare. Ndërkaq, kategoritë e tjera të pensioneve që nuk përfshihen në grupin e mësipërm vazhdojnë të kenë obligim paraqitjen, në përputhje me legjislacionin në fuqi .Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të rishikojë udhëzimin administrativ për të adresuar ndryshimet e nevojshme dhe për ta harmonizuar atë me aktgjykimin e Gjykatës Supreme”, kanë thënë nga MFPT.

Ata kanë thënë se mbeten të përkushtuar për të ofruar zgjidhje që lehtësojnë proceset për pensionistët, duke ruajtur njëkohësisht integritetin dhe qëndrueshmërinë financiare të skemave pensionale.

“Vlen të theksohet se gjatë viteve të fundit, MFPT ka aktivizuar ekipe mobile që ofrojnë shërbime në shtëpi për pensionistët që nuk mund të paraqiten fizikisht, me ekipe të angazhuara në të gjitha shtatë rajonet e Kosovës. Po ashtu, MFPT ka thjeshtësuar procedurat për personat paraplegjikë, tetraplegjikë dhe të verbër, duke eliminuar proceset e panevojshme dhe të lodhshme të rivlerësimit. Këto veprime pasqyrojnë angazhimin e MFPT për të përmirësuar funksionimin e skemave pensionale dhe për të lehtësuar proceset për pensionistët”, kanë thënë nga MFPT për lajmi.net.

Paraqitja e pensionerëve çdo gjashtë muaj, po është sfidë si për ta ashtu edhe për familjarët e tyre.

Për shkak të problemeve të ndryshme shëndetësore që mund t’i ketë një person mbi moshën 65 vjeçare, ky obligim për paraqitje po konsiderohet barrë e madhe për ta.

Gjykata Supreme nuk ka marrë ndonjë vendim të ri për pjesën tjetër të kategorive të pensioneve. /Lajmi.net/