Kontrata për mbetjet e kafshëve, vëllai i Besnik Bislimit punonte për kompaninë e familjes Maloku

Detaje të reja do të dalin për rrjedhën e aksioneve të kompanisë që fitoi kontratën për qiranë e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore në Drenas. Hulumtimi i Kallxo.com zbulon se vëllai i zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, Florin Bislimi, kishte punuar për një kompani që ishte në pronësi të kompanisë “Fitorja”, që është në pronësi të…

Lajme

15/05/2025 18:16

Detaje të reja do të dalin për rrjedhën e aksioneve të kompanisë që fitoi kontratën për qiranë e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore në Drenas.

Hulumtimi i Kallxo.com zbulon se vëllai i zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, Florin Bislimi, kishte punuar për një kompani që ishte në pronësi të kompanisë “Fitorja”, që është në pronësi të Tahir Malokut, babait të aksionarit të kompanisë fituese të kontratës (Naser Malokut) të nënshkruar nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

Florim dhe Besnik Bislimi e kanë mohuar përfshirjen e tyre në kontratën për qiranë e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore në Drenas me kompaninë “LIP KS & IT”, në të cilën ka aksione Naser Maloku.

Ministri Faton Peci ka deklaruar se dy herë ishte ftuar në zyrën e zv.kryeministrit Besnik Bislimi për të diskutuar për funksionalizimin e kësaj fabrike, por nga zyra e Bislimit kanë thënë se takimet kanë qenë në kuadër të obligimeve të zëvendëskryeministrit për të funksionalizuar projektet e financuara me fondet e BE-së.

‘Zyra e Zëvendëskryeministrit e as vetë zëvendëskryeministri i parë nuk ka detyrë apo obligim të kërkojë informacion e as është interesuar të ketë diçka të tillë për numrin e aplikantëve, pronësinë e aplikantëve, mënyrën e përcaktimit të fituesve dhe modalitetin e funksionalizimit. As e njeh pronarin fitues e as i intereson se kush është fitues. Nuk ka patur asnjë përfshirje përveç asaj që i takon si udhëheqës i procesit të integrimit evropian të Kosovës dhe monitorues i aktiviteteve përkatëse të cilat u sqaruan edhe më lart’” – thuhet në një përgjigje me shkrim të zyrës së zv.kryeministrit Besnik Bislimi.

Në anën tjetër, edhe vëllai i Besnik Bislimit e ka mohuar që është në dijeni për kontratën e Ministrisë të cilën e fitoi kompania “LIP KS & IT”.

“Çfarë kontrate se s’po kuptoj, jo, jo, nuk jam në dijeni, Naseri na ka hupë nëse punën e ka mshelë kompaninë e çu ne likuidim. Në ‘Kosova e Re’ punoj prej 2008-tës. S’ka lidhje asgjë kjo me mua, unë po ta hjeki atë” – tha Florin Bislimi përmes telefonit.

Përgjigje u kërkua edhe nga kompania “Fitorja”, pronar i së cilës është Tahir Maloku, babai i Naser Malokut, por ata nuk janë përgjigjur.

Historia e kontratës

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kishte publikuar dy njoftime, më 19.07.2024 dhe më 18.09.2024, në të cilat kërkonte palët e interesuara të aplikojnë për kontratën për funksionalizmin e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

Pesë ditë pasi ishte publikuar thirrja e dytë publike në ueb-faqe të AUV, kompania “LIP KS & IT” SH.P.K. ishte regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Dosja e regjistrimit zbulon që fillimisht themelues të kësaj kompanie kishin qenë tre aksionarë, Naser Maloku, si drejtor menaxhues dhe dy kompani të tjera, “MR & MNE” D.O.O. me adresë në Podgoricë të Malit të zi dhe “LIPITALIA 2000” S.P.S. me adresë në Rosta të Italisë.

Sipas të dhënave që ka siguruar KALLXO.com, pronar i kompanisë “MR & MNE” D.O.O. me adresë në Podgoricë të Malit të zi është një kompani tjetër me emër “MR & Co doo” me seli në Beograd të Serbisë e cila është në pronësi të shtetasit të Serbisë, Muamer Ragipoviq.

Muamer Ragipoviq figuron si drejtor edhe në kompaninë “MR & MNE” D.O.O. me adresë në Podgoricë të Malit të zi që kishte aksione në kompaninë kosovare që e nënshkroi kontratën me Ministrinë e Bujqësisë.

Kompania “MR & MNE” D.O.O. me pronar Muamer Ragipoviq ishte tërhequr nga biznesi që fitoi kontratën nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural më 20.02.2025, 1 muaj e 10 ditë pasi ishte nënshkruar kontrata për fabrikën.

Vlera e aksioneve të kompanisë “MR & MNE” D.O.O. ishte 30% në kompaninë e regjistruar në Kosovë “LIP KS & IT” ose në vlerë prej 3,000 eurove. Aksioniet ishin bartur tek Naser Maloku dhe kompania “ARCHES BAU” Sh.P.K., kompani e cila më vonë do të bashkohej në pronësi të kompanisë që kishte fituar kontratën nga Ministria e Bujqësisë.