Kontrata me konzorciumin francez për Brezovicën fuqizohet në tetor?

Parashihet që në muajin e ardhshëm të fuqizohet kontrata e nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe konzorciumit “MDP Consulting – Compagnie des Alpes” për Brezovicën. Qeveria në mbështetje me USAID-in, është në proces të përfundimit të detyrimeve që dalin nga kontrata, në anën tjetër edhe investitori në takimet e fundit është deklaruar së është duke punuar sipas planit në përmbushjen e detyrimeve që dalin nga kontrata për partnerin.

Lajme

06/09/2015 12:04

Qeveria më 14 prill të këtij viti pati nënshkruar kontratën për Partneritet Publiko Privat 99 vjeçar për dizajnimin, ndërtimin, financimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Qendrës Turistike në Brezovicë.

Koncepti për zhvillim të këtij projekti përfshin zhvillimin fleksibil për të plotësuar nivelet e kërkesës dhe parashikon një shumë prej 410 milionë euro investime në infrastrukturë gjatë kohëzgjatjes së projektit.

165 milionë euro investime kapitale në përmirësime në tri vjetët e para. 7000 mijë shtretër të shtrira në tri fshatra dhe të lidhura me rrugë dhe transport. Angazhim i fort për qëndrueshmërinë e mjedisit. Pritshmëria e krijimit të mbi 3 mijë vendeve të punës, përveç punëve të përkohshme që lidhen me ndërtimin.

Udhëheqësi i Njësisë për Implementim, projekti për Zhvillimin e Qendrës Turistike të Brezovicës, Azem Rexhaj, deklaron se pas nënshkrimit të kontratës ka filluar periudha e tranzicionit prej 180 ditësh, në të cilën të dy palët duhet të përmbushin një numër të kushteve para hyrjes në fuqi të kontratës.

“180 ditë pas nënshkrimit duhet të hyn kontrata në fuqi. Gjatë kësaj faze ka obligime si për investitorin po ashtu edhe për Qeverinë. Obligimet e qeverisë janë që të përfundon procesi i shpronësimit, të përfundon çështja e transferimit të pronave nga ndërmarrjet shoqërore tek Qeveria fillimisht dhe pastaj përgatitja për shfrytëzim për investitorin”, dekalron Rexhaj.

Prej kritereve tjera sipas Rexhajt është edhe aporovimi i dokumentacioneve të master planit detal dhe harmonizimi i dokumentacionit për lëshimin e lejeve të nevojshme.

Partneri privat do të jetë i nevojshëm për t’i përmbushur detyrimet financiare, të përgatisë dhe të dorëzojë dokumentacionin kyç bazë, të punësojë punonjës etj.

“Pavarësisht që është nënshkruar kontrata, vetëm pasi që investitori të dëshmoj para Qeverisë që ka siguruar kontratat për përmbushjen e kritereve financiare dhe për premtimet që janë bërë për investime… Po ashtu nga qeveria të sigurohet prona në dispozicion. Vetëm pasi që të kompletohen të gjitha këto pika që janë të parapara në marrëveshje atëherë Qeveria miraton hyrjen e kontratës në fuqi”, deklaron Rexhaj.

Udhëheqësi i Njësisë për Implementim thotë se Qeveria Kosovës në mbështetje me USAID-in, është në proces të përfundimit të detyrimeve që dalin nga kontrata, në anën tjetër edhe investitori në takimet e fundit është deklaruar së është duke punuar sipas planit në përmbushjen e detyrimeve.

Efektet pozitive të këtij projekti pritet të jenë të mëdha, në gjithë ekonominë e Kosovës.

Fillimisht Qendra turistike thuaja se nuk funksionon fare dhe mastar plani dhe kontrata parasheh që investitori të bëjë komplet demolimin dhe largimin e të gjitha objekteve të vjetra. Parashihet komplet ndërtim i ri i teleferikëve, ndërtim i ri i hoteleve. Kjo do të ketë ndikim direkt në punësim, ku parashihet të ketë mbi 3 mijë vende të reja të punës.

Objekte të skijimit të klasit botëror, mbi 140 km shpate skijimi, pajisje moderne, si dhe standarde më të larta të sigurisë dhe cilësisë në rajon.

Konzorciumi ka regjistruar kompaninë e tyre në Kosovë dhe kanë përfaqësuesin e tyre këtu, Lorik Haxhiun, nuk ka dashur të flasë. Mësohet se ky konzorcium pritet ta mbajë një konferencë për medie gjatë këtij muaji.

Eksperti i turizmit, Zekë Çeku, thotë se procesi për koncesionin e Qendrës turistike të Brezovicës duhet të përcillet si duhet, edhe pse ka pasur vonesa për shkak të mosgatishmërisë së palës Komitetit ndërministror. Ai theksoi se është vështirë të vlerësohet projekti, sepse është një projekt në zhvillim e sipër. Por, thekson ai, Brezovica është ndër vendet më të përshtatshme për turizëm.

“Në bazë të studimeve është vërtetuar se Brezovica është një ndër asetet më të njohura ose më të përshtatshme për zhvillimin e turizmit malor jo vetëm në Kosovë, por ka qenë edhe në Ish –jugosllavi, është në nivel të Ballkanit dhe Evropës Juglindore”, thekson Çeku.

Çeku nuk pret edhe tri vjet të jetë e gatshme Brezovica për turistët. Sipas tij, kjo qendër turistike është një projekt atraktiv, dhe se siç tha ai nuk është rastësishme shprehja e interesimit të francezëve për investime.

Brezovica, sipas Çekut, ka disa përparësi të mëdha, e ka infrastrukturën elementare që nuk e kanë bjeshkët tjera të Kosovës, me qasje nga Prishtina, nga Shkupi dhe nga Tirana.

Ndryshe, vetëm pasi kontrata të hyjë në fuqi investitori ka të drejtë të fillojë me investimet në Brezovicë. /KosovaPress