Kontrabanduan naftë në vlerë mbi 3 milionë euro, sërish dështon gjykimi

Për të tretën herë me radhë ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj të akuzuarve për krim të organizuar, kontrabandë të mallrave, shmangie nga tatimi e vepra tjera, Milan Bozhoviq, Dragomir Bozhoviq dhe Zhelkjo Millashinoviq.

Lajme

27/01/2020 13:16

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) i akuzon Millan e Dragomir Bozhoviqin dhe Zheljko Millashinoviqin se kanë blerë karburante në Serbi dhe ato i kanë dërguar ilegalisht në pompat e benzinës në veri të Kosovës, në vlerën e mbi tre milionë eurove.

Arsye e dështimit të kësaj seance në Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka qenë mungesa e të akuzuarit Zheljko Millashinoviq, si dhe të akuzuarit tjetër Dragomir Bozhoviq, i cili ka vdekur.

Sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Valbona Selimaj, i akuzuari Millashinoviq ndodhej në Serbi dhe për këtë seancë ai ishte ftuar përmes Ministrisë së Drejtësisë.

“I akuzuari Zhelkjo Milloshinoviq, gjendet në Serbi, të cilin gjykata e ka ftuar me ftesë përmes Ministrisë së Drejtësisë, respektivisht Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, ku është konstatimi në fletëkthesë se dorëzimi i ftesës në ministri është pranuar më 15 janar 2020”, tha gjykatësja Selimaj.

Mirëpo, sipas gjykatëses Selimaj, gjykata nuk posedonte prova se i akuzuari ishte ftuar në mënyrë të rregullt.

Për të akuzuarin e dytë, Dragomir Bozhoviq, gjykatësja Selimaj ka njoftuar se sipas fletëkthesës rezultonte se ai kishte vdekur.

Për ta mbështetur këtë fakt, i akuzuari i tretë, Milan Bozhoviq, i cili është edhe djali i të akuzuarit Drogimir, në seancat e kaluara ia kishte dorëzuar gjykatës certifikatën e vdekjes, të lëshuar më 16 dhjetor, nga zyra e gjendjes civile në Zubin Potok.

Po ashtu, gjykatësja ka njoftuar se nuk mund të ndërmerr veprime ligjore për veçimin e kësaj procedure, përderisa nuk pranohej një konfirmim zyrtar për të akuzuarin Zheljko Millashinoviq.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e këtij gjykimi, seanca është shtyrë për 26 mars, nga ora 10:00.

Në këtë çështje penale, nuk kishin arritur të mbaheshin as seancat e 18 shtatorit dhe ajo e 20 dhjetorit 2019.Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 1 korrik 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj Millan Bozhoviq, Dragomir Bozhoviq dhe Zhelkjo Millashinoviq, me të cilën po i akuzon se në periudhën kohore nga 22 maji 2009 deri më 14 korrik 2011, me dashje dhe dijeni dhe me qëllim që si grup të kryejnë vepra kriminale që janë të dënueshme me burgim së paku katër vjet aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtari kriminale.

Sipas PSRK-së, të akuzuarit Millan dhe Dragomir Bozhoviq dhe Zhelkjo Millashinoviq, e kanë shfrytëzuar mungesën e doganierëve kosovarë në pikat 1 dhe 31 përkatësisht në Leposaviq dhe Zubin Potok, e duke qenë se doganierët e EULEX-it vetëm kanë regjistruar mallin, por zhdoganimi është bërë në pjesën jugore të Mitrovicës, kjo gjë, sipas akuzës ju ka krijuar kushte të përshtatshme të akuzuarve për kontrabandë me mallra, shmangie doganore dhe tatimore.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Millan dhe Dragomir Bozhoviq, si pronar të regjistruar të kompanisë “P.P MIN PROM” dhe Zhelkjo Millashinoviq si vozitës i mauneve të kësaj kompanie, kanë blerë karburante në Serbi dhe të njëjtat i kanë futur ilegalisht në Kosovë, përmes kompanisë së lartcekur, e cila nuk posedon licencë për import të karburanteve.

Karburantin e blerë, sipas PSRK-së, të akuzuarit nuk e kanë zhdoganuar, por e kanë dërguar direkt në pompat e benzinës në veriun e Kosovës dhe duke qenë se nuk kanë paguar tatim, kjo sasi e karburantit ishte shitur me çmim më të lirë, se sa ai i tregut.

Vlera e përgjithshme që të akuzuarit po akuzohen se e kanë futur nga Serbia në Kosovë kap shifrën e 3,035,911.36 euro, ndërsa dëmi që i është shkaktuar Doganave dhe Administratës Tatimore të Kosovës, duke iu shmangur akcizës arrin shumën 1,243,348.59 euro, pastaj llojit të tatimit në emër të TVSH-së, në shumë prej 684,681.60 euro, tatimit të paragjykuar 3% në vlerën e shitur në shumën prej 92,705.43 euro dhe në emër të kontributeve pensionale në shumën prej 30,901.81 euro.

Me këto veprime të tyre, tre të akuzuarit, sipas prokurorisë, kanë kryer veprën penale, të krimit të organizuar lidhur me veprat penale, kontrabandimi i mallrave, shmangia nga tatimi dhe shmangia nga akciza dhe detyrimet e importit./Betimipërdrejtësi