Konsensusi kombëtar – kjo e panjohur e madhe mes nesh

Shkruan: Agron Hoti

Opinion

16/02/2020 17:34

Mungesa e një komunikimi racional, ku arsyeja do të duhej të ishte bazë diskursit publik e privat e jo emocionet, përbën një të metë të madhe që kemi si komb. Shoqëria shqiptare, ashtu si tërë Ballkani, është shoqëri me besim tejet të ulët ndaj njëri tjetrit. Aq i ulët është besimi mes nesh, sa deri vonë shihnim çdokë me dyshim: jo ky i kësaj lagjeje çfarë kërkon te ne, jo ky i filan fshatit apo qytetit ka ardhë po na shet mend, ose njëri gëzohet kur prish bisedën në një ndejë edhe nëse i mungojnë argumentet, lidhjet biznesore edhe sot bëhen me të njofshëm se si besojmë kontratës, edhe brenda familjes babai kishte gjithmonë të drejtë, edhe brenda lagjes më i vjetri kishte gjithmonë të drejtë, edhe për ngushëllime klerikët kanë gjithmonë të drejtë, të gjitha këto kanë penguar dhe sot pengojnë një komunikim të arsyeshëm ku forca arsyes dhe argumentit dominon.

Mjafton të shohësh se si komunikohet në debate publike, rrjete sociale, seminare e punëtori, në familje, në lagje, etj. dhe të bindesh se tërë biseda sillet rreth inatit, emocionit e jo arsyes e argumentit. Ky mosbesim dhe mungesë racionaliteti pasqyrohen në të gjitha dimensionet shoqërore pa përjashtim, si pasojë e së cilës na mungon konsensusi kombëtar për çështje që e kërkojnë atë.

Nëse i lëshojmë një sy historisë sonë pak më shumë se 100 vjeçare, nuk është fare e vështirë të vërehet mungesa e konsensusit kombëtar mes shqiptarëve, apo mungesa e një boshti përbashkues siç do ta quante dijetari i papërsëritshëm shqiptar, Arbër Xhaferi, nga e cila mungesë jemi bërë sot pikë e pesë. Nuk kishim konsensus në kohën e Ismail Qemalit, as në kohën e Nolit e Konicës, as në kohën e Zogut dhe Enverit, nuk e kishim as brenda hapësirave shqiptare brenda Jugosllavisë dhe nuk e kemi as sot.

Kur erdhi demokracia mes shqiptarëve intensiteti ndaj moskonsensusit veç sa u rrit në Shqipëri, Kosovë dhe tërë hapësirën shqiptare. Siç e dimë, grupacionet politike në Shqipëri që nga rënia e komunizmit e quajnë njëra tjetrën kriminale pandërprerë e pa përjashtim, duke i mveshur njëri tjetrit atributin e progrekut, proserbit e prorusit. Pra, sipas opinionit të grupacioneve politike në Shqipëri i bie që nuk ka politikanë proshqiptarë. Kaq konsensus ka në Shqipëri.

Në sytë e shqiptarëve të Kosovës, një pjesë e politikës së Shqipërisë, sidomos prej rënies së komunizmit, shihet si progreke dhe një tjetër si proserbe. Vështirë të gjesh perceptues neutralë në këtë mes. Ajo që është më interesante është fakti që pjesa e shqiptarëve të Kosovës që kanë qenë pjesë e pushtetit komunist jugosllav, e quajnë pjesën komuniste të Shqipërisë si staliniste e enveriste se kinse ka punuar kundër interesave shqiptare, kurse pjesa e shqiptarëve të Kosovës që ishin të përndjekur e persekutuar nga pushteti jugosllav e shohin Shqipërinë komuniste si nacionaliste, ndërsa pjesën e demokratëve të sotshëm si njerëz të dyshimtë që kanë qenë të lidhur me UDB-në dhe shërbime të dyshimta për ta shkatërruar Shqipërinë. Kuptohet përjashtime në perceptim ka sa çon miza me krahë.

Edhe mes përmes politikanëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e Serbi Jugore, pjesa e shqiptarëve që janë përndjekur nga pushteti jugosllav i quan shqiptarët që ishin pjesë e pushtetit komunist si spiunë të UDB-së dhe njerëz që iu shkonte loti skurrjel për pushtetin jugosllav. Ndërkohë që shqiptarët që ishin pjesë e pushtetit komunist jugosllav i quanin të përndjekurit shqiptarë si të indoktrinuar nga stalinistët dhe enveristët, besa jo rrallë i quanin edhe irredentista e kundër-revolucionarista. Kuptohet edhe këtu ka përjashtime në përceptim sa çon miza me krahë.

Ndërkohë që sot politikanët shqiptarë të të gjitha trevave shqiptare, varësisht prej interesave dhe politikave mendje- dhe shpirtngushta, e quajnë shoqi shoqin kriminel, proserb, progrek e prorus, derisa secili për vete bën patriotin. Fatkeqësisht i tillë është edhe përcepsioni i publikut të gjerë për politikanët, i ushqyer rregullisht nga mediat e anshme deri në skajshmëri.

Nuk do shumë mend për të parë sot, siç ishte dhe dje, mungesën totale të konsensusit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e Serbi Jugore. Kjo është lehtë e vërejtshme si në qarqe akademike, nëse do të mund t’i quanim të tillë (kuptohet jo të gjithë, por një pjesë të madhe të tyre), ashtu edhe nëpër institucione, si mes partive politike ashtu edhe brenda vetë partive politike, si mes mediave ashtu edhe mes shoqërisë civile. Të gjitha këto kanë përçarë qytetarin sa që është e vështirë nëse e pamundshme të bësh bashkë dy qytetarë për një çështje të caktuar. Aq të polarizuar janë qytetarët shqiptarë sot në të gjitha trevat ku jetojnë, sa kjo ka pamundësuar një të vëzhguar kritik dhe reagues ndaj problemeve reale si ngritja e çmimeve të rrymës, sigurimeve shëndetësore, artikujve të ndryshëm ushqimorë, problemit të degradimit të mjedisit, korrupsionit, etj.

Është shumë e lehtë të gjesh shqiptarë që shajnë politikanë të ndryshëm për afera të panumërta korruptive e degjenerim institucional, por është shumë e vështirë nëse e pamundshme të mbledhësh dy prej tyre për të protestuar në rrugë ndaj zhvillimeve negative siç rëndom ndodh nëpër vende me demokraci të zhvilluara.

Mungesa e konsensusit kombëtar ka vrarë ndjenjën e veprimit kolektiv si në të kaluarën ashtu edhe sot. Secili quan secilin tradhëtar, kriminel, spiun ose bashkëpunëtor të huajin, analfabet, etj.

Vlen të theksohet se pothuaj në të gjitha demokracitë e zhvilluara kur politikanët e tyre (pozitë e opozitë) dalin jashtë vendit flasin me një zë, ndërkohë që kur dalin politikanët tanë bëhen gazi i botës para homologëve të tyre. Ky është realiteti.

Secili që vjen në pozitë kërkon ndërtimin e konsensusit, ndërsa sa ishte në opozitë as që donte t’ia dinte për të. Kjo është bërë rotative. Më lehtë e kemi t’u qeshemi politikanëve të huaj se sa njëri tjetrit që rrjedhim nga i njëjti komb. Secili mundohet të lidhet me të huaj për të dëmtuar të bashkëkombasin e tij. Të gjitha indikacionet bindin që konsensusi kombëtar ka qenë, është dhe me gjasë do të jetë një e panjohur e madhe për shqiptarët kudo që jetojnë dhe veprojnë. E për këtë fajtorë jemi të gjithë, dikush më shumë e dikush më pak.