Konkursi i dyshimtë i Komunës së Pejës i projektit të gjimnazit “Bedri Pejani”
Janë hedhur dyshime për favorizimin ose diskriminim ndaj kompanive në drejtim të komunës së Pejës lidhur me realizmin e konkursit “Hartimi i projektit ideor dhe kryesor i gjimnazit "Bedri Pejani" në Pejë”.
Lajme
Para pak ditëve Komuna e Pejës finalizoi konkursin për hartimin e projektit të gjimnazit “Bedri Pejani”.
Komuna kishte zotuar fonde në vlerë prej 35 mijë eurove për projektin në fjalë.
Hartimin e projektit e ka fituar kompania “AB Group” shpk nga Prishtina në vlerë prej 34 mijë e 920 euro, e cila mori 88.56 pikë nga komisioni vlerësues, ose tri pikë më shumë se kompania e dytë “Engineering” shpk e cila ishte më e lirë për rreth 15 mijë euro. Megjithëkëtë, kjo kompani është shpërblyer me vendin dytë, ku do të marr 3000 euro, ndonëse nuk do të bëjë projektimin, por shpërblimi është vetëm si motivacion. Komisioni e kishte vlerësuar me 85.65 pikë, shkruan lajmi.net.
Vendin e tretë e ka fituar kompania “Vizioni – B” me gjithsejtë 76.72 pikë ku dhe do shpërblehet me 2000 euro.
Për këtë tender kanë garuar 6 kompani, pos këtyre tri kompanive fituese, sipas dokumentit “Njoftimit mbi vendimin e autoritetit kontraktues”, nuk dihet nga sa pikë kanë grumbulluar kompanitë tjera.
Arkitekti, Përparim Haxhiu, i cili është edhe pronar i kompanisë garuese N.SH. “PH-Archdesign” nuk dinë se sa pikë ka marr oferta e kompanisë së tij.
Madje ai ka dyshime rreth konkursit. Thotë se në realizmin e tenderit është shkelur ligji i prokurimit publik.
“Aplikimi në konkurse bëhet me kodë, dhe jo më emër të kompanisë. Paraprakisht janë dy zarfe, në njërin hynë dokumentacioni me emër me vule e më të gjitha. Pasi të mbyllet shënohet një kode me numra, dhe nuk bënë të ketë asnjë shënim tjetër. Kodi duhet të jetë unik, në mënyrë që kompania të fshihet pas tij, dhe në një zarfe tjetër hynë projekti, edhe ai mbyllet dhe në të shënohet kodi unik. Këto dy zarfe futen në një zarf të tretë, edhe ai shkon me kodë dhe dorëzohet në zyrën e prokurimit. Në këtë rast, shkeljen e parë që e ka bërë prokurimi i Pejës është se ka kërkuar që në zarf të shënohet numri i kompanisë. Automatikisht në atë moment ne jemi identifikuar si kompani. Ka iks raste, ku iks kompani ndoshta e ka pas projektin më të mirin, apo të dytin, por vetëm pse ka bërë identifikim në zarf, automatikisht është diskualifikuar nga gara”, tha Haxhiu për lajmi.net.
Ai thotë se prokurimi ka bërë edhe shkelje të tjera gjatë realizmit të tenderit.
“Fillimisht bëhet një vlerësim i projektit, me kodë siç e thashë, dhe njoftohen me rezultatin të gjitha kompanitë. Me atë rezultat kompanitë që kanë garuar në projekt kanë të drejtë që në një afat prej pesë ditëve të ankohen nëse janë të pa kënaqur. Nëse nuk ka ankesa, pas pesë ditëve bëhet hapja e ofertave, jepet oferta e projektimit, kompania fituese e ka dhënë ofertën prej afro 35 mijë euro. Mirëpo, disfavori në këtë rasë është se, çmimi i ofertës i ka 20 pikë në vlerësim, nëse e jep çmimin maksimal, ai tjetri me projekt pak më të dobët, nëse i ka marr 80 pikë, dhe ai që e ka projektin pak më të mirë dhe i ka marr 82 pikë është vendi i parë, por kur hapet oferta, 20 për qindëshi i vlerësimit të çmimit e kalon atë me 82 pikë ani pse ai e ka projektin pak më të mirë. Prokurimi i Pejës në këtë rast ka hapur direkt projektin dhe ofertat për një herë dhe e shpallë fitues kompaninë që e ka shpall, pa na dhënë ne asnjë hapësirë”, shtoi tutje ai.
Arkitekti Haxhiu thotë se kompania me të cilën ka garuar nuk është njoftuar për vlerësimin e projektit. Lidhur më këtë thotë se ka ushtruar dy herë ankesë tek Autoriteti kontraktues.
“Në atë moment që është shpallur fituesi, kam bërë ankesë. I kam shkruar prokurimit të Pejës se jemi të pakënaqur me vlerësimin dhe kemi cekur dy pika ku është shkelur ligji. Pos kësaj kemi kërkuar që të kemi qasje në dokumente zyrtare në dokumentacion të vlerësimit për arsye se ne si kompani nuk e kemi ditë sa pikë i kemi, edhe se kemi ditë a është vlerësuar apo nuk është shikuar hiq projekti”.
Lidhur me ankesën e tyre, Haxhiu thotë se nuk morën asnjë përgjigje.
“Pasi kemi shprehur ankesë, Komuna të nesërmen e ka pezulluar procedurë n e prokurimit, ka qenë kohë pandemie. Pas pezullimit të konkursit kam pritur që komuna të më shkruaj në e-mail, që të na konfirmojë nëse e kanë marrë shkresën. Po ashtu kemi qenë në pritje për ta na dërguar e-mailin se kur mund të shkojmë për të pasur qasje në dokumente zyrtare, siç kemi kërkuar. Nuk na kanë njoftuar. Kemi par që me një datë të caktuar e kanë shpallë prapë fitues kompaninë e njëjtë. Kam bërë prapë ankesë. Në ankesën e dytë i doli gjumi prokurimit dhe më kthejë një përgjigje, ku më kanë shkruar se. “I nderuar u ka kaluar afti, keni mundur që të vini në zyrë dhe të shikoni dokumentacionin, ne të kemi lenë hapësirë kohore, por nuk ke ardhur”. Pra, tash na kthyen përgjigje brenda 24 orëve a atëherë, për rreth dy javë nuk na janë përgjigjur”, shtoi tutje Haxhiu.
Nga ana tjetër, Xhemë Berisha, menaxheri i prokurimit në Komunën e Pejës ka thënë për lajmi.net se kriteri për grumbullimin e pikëve për këtë konkurs ka qenë Kriteri ekonomikisht ma i favorshëm.
Berisha ka thënë se kanë qenë tre anëtaret të komisionit vlerësues, Emin Sadiku inxhinier, Agron Nikqi inxhinier dhe Milot Gashi ekonomist.
Ai tha se janë përgjigjur në një ankesë të kompanisë ankuese me kohë.
“AK-se Komuna e Pejës ka pranuar një kërkesë për Rishqyrtim nga O.E PH – Architect shpk me dt 24.04.2020 ditë e premte. AK e ka pezulluar ketë procedurë. AP-është i ngritur ne sistem. Të njëjtën ditë ( 27.04.2020) kemi marr vendim mbi refuzimin e kësaj kërkese dhe me ketë Vendim është njoftuar ky O.E përmes platformës elektronike. Ky O.E nuk e ka shfrytëzuar te drejtën e tij ligjore ( prej 10 ditësh) për të bërë ankesë në OSHP. Pas skadimit të këtij afati ligjor AK-se më dt 08.05.2020 e ka dërguar Njoftimin për Rezultatet e konkursit te Projektimit ne Platforme Elektronike”, tha Berisha.
Tenderi “Hartimi i projektit ideor dhe kryesor i gjimnazit Bedri Pejani në Pejë”. Për këtë tender kanë garuar 6 kompani; 1. “AB Group” shpk me çmim prej 34 mijë e 920 euro, 2. NSH “PH-Archdesingn” me çmim prej 27 mijë e 700 euro, 3. “Vizion –B” me çmim prej 26 mijë e 833 euro, 4. “Studio 11” shpk me çmim prej 23 mijë e 500 euro, 5. NPT “Arhing”, me çmim prej 14 mijë e 945 euro, dhe 6. “Engineering” shpk me çmim prej 20 mijë e 500 euro. /Lajmi.net/