Konjufca në Sofje: Integrimi i Kosovës në BE duhet të jetë i bazuar në merita dhe të sjellë rezultate konkrete
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në takimin ministror të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në Sofje të Bullgarisë, me rastin e 30-vjetorit të këtij formati rajonal. Në fjalën e tij, Konjufca vlerësoi se Evropa Juglindore ka shënuar përparim të rëndësishëm gjatë tri dekadave të fundit,…
Lajme
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në takimin ministror të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në Sofje të Bullgarisë, me rastin e 30-vjetorit të këtij formati rajonal.
Në fjalën e tij, Konjufca vlerësoi se Evropa Juglindore ka shënuar përparim të rëndësishëm gjatë tri dekadave të fundit, por theksoi se rrethanat aktuale gjeopolitike kërkojnë “qartësi strategjike, përgjegjësi politike dhe përkushtim të vazhdueshëm” për paqe, stabilitet dhe orientim euro-atlantik të rajonit.
Sipas njoftimit, ai ka theksuar procesi i integrimit evropian duhet të mbetet i besueshëm dhe i drejtë, i bazuar në merita, ku përparimi i Kosovës në fusha si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, liria e medias dhe zhvillimi ekonomik të njihet dhe të përkthehet në hapa konkretë drejt Bashkimit Evropian.
Konjufca ka thënë gjithashtu se bashkëpunimi rajonal ka kuptim vetëm kur sjell rezultate konkrete për qytetarët, duke përmendur si prioritete projekte infrastrukturore dhe marrëveshje praktike.
Ai veçoi projektin strategjik të hekurudhës Prishtinë–Durrës dhe përfshirjen e saj në rrjetin evropian të transportit TEN-T, si dhe zbatimin e marrëveshjeve për njohjen e diplomave, lirinë e lëvizjes, sigurimet sociale dhe lejet e punës.
Gjatë vizitës në Sofje, Konjufca zhvilloi edhe një takim dypalësh me Ministren e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Velislava Petrova. Të dy palët diskutuan për procesin e integrimit të Kosovës në BE, perspektivën euro-atlantike të vendit dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale.
Bullgaria, sipas Konjufcës, mbetet një partner i rëndësishëm dhe mbështetës i rrugës evropiane të Kosovës.