Konjufca ftesë deputetëve të LDK-së që t’i bashkohen VV-së

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka thënë se PDK-së duhet t’i heqet pushteti që të shpëtohet shteti.

Lajme

16/06/2017 22:09

Ai ka thënë se partia e Veselit duhet të shkojë në opozitë, shkruan Periskopi.

Ai po ashtu ka thënë se kushdo që hynë në koalicion me këtë parti, nuk mundet ta luftojë krimin e korrupsionin, duke marrë shembull LDK-në, e cila kishte përfunduar dy herë në koalicion me këtë parti.

“PDK-ja duhet të shkojë në opozitë, t’i heqet pushteti, sepse është parakusht për m’i bë reformat në drejtësi, me luftu krimin e korrupsionin e organizum. Me PDK-në në koalicion nuk e lufton PDK-në, por bashkëqeveris me të. Këtë e provoi Isa Mustafa dhe e ndëshkoi elektorati”, tha ai në RTV 21.

Konjufca tha se Vetëvendosje nuk i beson LDK-së, për shkak të traditës së saj me koalicionet me LDK-në.

“Nuk i besojmë LDK-së në mënyrë aprirori, sepse kështu kanë thënë në vitin 2014, edhe në vitin 2007. VV nuk e kahallin me mbetë në opozitë, nuk bëhet nami. Por kjo do të ishte edhe një goditje e radhës e LDK-së. Elektorati nuk do ta duronte këtë paftyrësi”, tha Konjuca, duke komentuar po ashtu një koalicion të mundshëm mes PDK-së e LDK-së.

Sipas Konjufcës, në këtë rast, disa deputetë të rinj brenda LDK-së do të mund të iknin nga kjo parti, po që se LDK-ja bën koalicion me PDK-në edhe një herë.

Ai ka thënë se të njëjtit mund të përfundojnë në Vetëvendosje, duke thënë se i kanë dyert e hapura.

“Anton Quni, Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku e Dritoni Selmanaj, ose do ta linin LDK-në e ndoshta mund të vijnë në Vetëvendosje. Ne jemi të hapur për deputetët e LDK-së, që janë të pakënaqur me LDK-në. Nëse ata shohin që brenda subjektit të tyre politik nuk mund ta luftojnë krimin e korrupsionin, sepse aty ka njerëz si Lufti Haziri e Agim Veliu, që janë të afërt me PDK-në….”, tha ai.