Kongresi mblidhet për konfirmimin e Bidenit, Trump “nuk dorëzohet”
Kongresi i Shteteve të Bashkuara u mblodh të mërkurën për të numëruar dhe certifikuar votat elektorale nga zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit dhe, rrjedhimisht, për të konfirmuar fitoren e presidentit të zgjedhur, Joe Biden.
Bota
Procesi, që zakonisht është rutinor dhe ceremonial, duket se do të shkojë ngadalë, pasi disa republikanë të presidentit aktual, Donald Trump, kanë vendosur ta sfidojnë konfirmimin, duke u thirrur në pretendime të pabaza për mashtrime në zgjedhje.
Kundërshtimet e para u paraqitën për rezultatet e shtetit të Arizonës, ku Biden është shpallur fitues.
Kundërshtimi çon tani në dy orë debat në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat.
Trump, në anën tjetër, është zotuar se “nuk do ta pranojë kurrë humbjen” dhe u ka bërë thirrje mbështetësve që të mblidhen në Uashington.
“Ne kurrë nuk do të dorëzohemi”, tha Trump në tubimin e mesditës.
Së paku 14 senatorë republikanë dhe rreth 140 anëtarë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë thënë se do t’i sfidojnë rezultatet e disa shteteve. Por, ky vendim i ka ndarë edhe vetë republikanët.
“Votuesit, gjykatat, shtetet – të gjithë kanë folur. Nëse i tejkalojmë ata, ne do ta dëmtojmë republikën tonë përgjithmonë”, tha Mitch McConnell.
Nënpresidenti aktual, Mike Pence, tha se roli i tij “kryesisht ceremonial” në seancën e sotme të Kongresit, nuk e lejon atë që ta ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve dhe fitoren e Bidenit.
Në një deklaratë me shkrim, Pence tha se është gjykim i tij që Kushtetuta amerikane e ndalon atë ta bëjë një gjë të tillë.
“Presidenca i përket popullit amerikan dhe vetëm atij”, tha Pence.
Kolegji Zgjedhor – sistemi i përdorur për të zgjedhur presidentin e SHBA-së – e ka konfirmuar fitoren e Bidenit në muajin dhjetor.
Ligjvënësit republikanë planifikojnë t’i kundërshtojnë votat elektorale në së paku gjashtë shtete – Arizona, Xhorxhia, Nevada, Miçigen, Pensilvani dhe Uiskonsin.
Përpjekja e republikanëve nuk ka pothuajse asnjë shans për ta parandaluar Bidenin që të marrë detyrën më 20 janar, sepse demokratët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe mjaft republikanë e kundërshtojnë përpjekjen./rel