Konferencat e OVL-së, Gucati është arrestuar pas publikimit të dosjeve që rrodhën nga Specialja

Tri konferenca për shtyp - përkatësisht tri ditët kur në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës u sollën dokumente dhe dosje konfidenciale të Gjykatës Speciale janë pika kryesore e fletarrestimit për kreun e kësaj organizate, Hysni Gucati.

Lajme

26/09/2020 09:35

Gjykata Speciale ka bërë publike fletarrestimin për Gucatin duke thënë se ky i fundit nuk kishte penguar nënkryetarin e OVL-së Nasim Haradinaj kur ka përmendur emra të dëshmitarëve të caktuar potencial, shkruan lajmi.net.

“Ekziston një dyshim i bazuar se Hysni Gucati është penalisht përgjegjës për përpjekjen e kryerjes veprën e frikësimit gjatë procedurave penale në përputhje me nenin 387 të Kodit Penal. Konkretisht ekziston dyshim i bazuar se z.Gucati mbajti tre konferenca shtypi në 7, 16 dhe 22 shtator 2020, ku ai shpërndau ose vuri në dispozicion për media informacione dhe dokumente konfidenciale dhe jopublike në lidhje me punën e Prokurorisë së Specializuar dhe nuk bëri asnjë ndërhyrje kur Nasim Haradinaj përmendi me emër dëshmitarë të caktuar(potencial) dhe dha informacion në lidhje me vendbanimin e tyre dhe detaje të tjera personale. Kjo sjellje përbën një kërcënim serioz ose mjete të tjera të detyrimit për të nxitur një person tjetër nga dhënia e një deklarate ose për të bërë një deklaratë të rremë ose përndryshe dështon të deklarojë informacionin e vërtetë në Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe/ose Dhomat e Specializuara”, thotë pika e parë e fletarrestimit të publikuar nga Specialja. 

Në pikën e dytë të këtij fletarrestimi thuhet se Gucati me anë të publikimit të këtyre informacioneve ka vënë në rrezik dëshmitarët potencialë.

Pika e tretë flet se Gucati ka bërë shkelje të procedurave sekrete të Dhomave të Specializuara në konferencat e mbajtura më 7, 16 dhe 22 shtator duke njoftuar publikun për dokumente jopublike dhe konfidenciale.

Edhe pika e katërt dhe e pestë e këtij fletarrestimi kanë të bëjnë me konferencat e mbajtura nga Gucati dhe zëvendësi i tij, Nasim Haradinaj, në anën tjetër pika e fundit e fletarrestimit thotë se ndalimi dhe arrestimi i tij ishte i nevojshëm.

“Për më tepër, ka arsye të artikulueshme për të besuar se arrestimi i z.Gucati është i domosdoshëm, sepse rrethanat specifike tregojnë se ai do të përsërisë ose do të përpiqet të përsërisë veprat penale, duke marr parasysh se ai e bëri të qartë qëllimin e tij për të vazhduar të bëjë publike informacione dhe dokumente konfidenciale dhe jo-publike lidhur me dëshmitarët e mundshëm dhe Task Forcën e Hetuesve Special dhe/ose hetimet e Zyrës së Prokurorit Special duke demonstruar kështu një rrezik të vazhdueshëm që do të mund të rrezikonte, intimidonte dhe të vë në rrezik dëshmitarët e mundshëm përmes zbulimeve të ngjashme”, thuhet aty. /Lajmi.net/