Të Infektuar: 3703

Të Shëruar: 1946

Të Vdekur: 79

Komunat nuk zbatojnë vendimin për hapjen e çerdheve

16:33 | 1 Qershor 2020

Vendimi i Qeverisë në detyrë që sot të hapen çerdhet në gjithë Kosovën si duket ka dështuar, pasi që shumë komuna, përfshirë edhe Prishtinën njoftuan se nuk do mund t’i hapin çerdhet për shkak se janë njoftuar me vonesë dhe nuk i kanë bërë përgatitjet e duhura.

Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Selim Pacolli për KosovaPress, ka deklaruar se çerdhet dhe kopshtet në kryeqytet do jenë të gatshme të hapen nesër.

“ Ne jemi në vazhdën e punimeve, të dezinfektimit dhe të përgatitjes së pranimit të fëmijëve në çerdhe dhe kopshte. Sigurisht që nesër do të jenë të gatshme, janë disa prej tyre që nuk janë të gatshme. Por, sot është duke u punuar në ato, dhe duhet të përgatiten ato hapësira që të jenë për fëmijët të pastra dhe të dezinfektuara”, deklaron ai.

Çerdhet nuk janë hapur as komunën e Suharekës. Këtë e arsyeton kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj i cili për KosovaPress, tha se hapje e kopshteve dhe çerdheve sot ka qenë e pamundur pasi me vonesë janë njoftuar për këtë vendim.

Ai tha më 3 qershor pret që të hapen institucionet parashkollore për 0-5 vjet në Suharekë.

“ Dje është marr një vendim për hapjen e çerdheve, unë menjëherë e kam autorizuar drejtorin për Arsim që me punua në këtë punë. Sot ka raportuar në mëngjes që çerdhet do hapen më 3 për arsye se sot kemi fillua me bënë pastrimin, dezinfektimin dhe në momentin që kryhen besoj që me 3 e mërkurën fillojnë çerdhet në Suharekë me punua, edhe në qendër edhe në Mushtisht dhe kudo ku kemi çerdhe. Nuk kemi pasur mundësi mbrëmë e kemi marr vendimin sot me startua pasi që ka disa masa që duhet t’i kryejmë në radhë të parë e pastaj të fillojmë me punën”, theksoi Muharremaj.

Përveç këtyre dy komunave, çerdhet sot nuk i kanë hapur edhe disa komuna të Kosovës si Gjakova, Mitrovica, Drenasi, Skenderaj, Obiliq, Shtime.

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka njoftuar se në këtë komunë nuk mund të hapet çerdhja publike, pasi e kanë marrë vendimin nga Qeveria e Kosovës me vonesë.

“Për shkak të njoftimit me vonesë, me qëllim të përgatitjes më të mirë, ndermarrjes së masave parandaluese kundër infeksionit COVID-19 dhe ruajtjes së shëndetit të fëmijëve tonë, çerdhja “Nëna Zahide” nuk do të hapet. Për datën e hapjes së saj do të njoftoheni me kohë. Deri atëherë vazhdoni t’i kushtoni kohë fëmijëve në shtëpi, t’i edukoni e mishëroni me ngrohtësinë dhe edukatën familjare”, ka shkuar Jashari.

Reagim për vendimin e qeverisë për hapjen e kopshteve mbrëmë ka pasur edhe i pari i Gjakovës, Ardian Gjini. Ai madje këtë vendim e ka quajtur nonses dhe ka kërkuar nga prindërit që fëmijët mos t’i dërgojnë sot në kopshte dhe çerdhe.

Për vendimin e mbrëmshëm të qeverisë së Kosovës për hapjen e institucioneve parashkollore ka reaguar edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës. Ata kanë thënë se për shkak të njoftimit me vonesë nga institucionet qendrore sot nuk po hapen çerdhet as kopshtet në komunat e Kosovës.

Asociacioni i Komunave ka kërkuar nga institucionet qendrore që të kemi koordinim më të mirë dhe efektiv për të mirën e përbashkët dhe jo vetëm në parandalimin e pandemisë Covid-19 por edhe për çështje tjera të interesit publik.

“Sot nuk kanë nis punën çerdhet dhe kopshtet në komunat e Kosovës sepse njoftimi dhe vendimi i institucioneve qendrore u shpall dje pasdite e duke e shtuar konfuzionin në orët e vona të mbrëmjes si për institucionet qendrore ato komunale ashtu edhe për bartësit e institucioneve parashkollore dhe vetë prindërit. Kryetarët e Komunave vlerësojnë se në këtë rast, kishte mungesë totale të koordinimit ndërinstitucional mes Qeverisë dhe vetë Komunave dhe fatkeqësisht nuk është hera e parë e besojmë që do jetë hera e fundit. Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon edhe njëherë nga institucionet qendrore që të kemi koordinim më të mirë dhe efektiv për të mirën e përbashkët dhe jo vetëm në parandalimin e pandemisë Covid-19 por edhe për çështje tjera të interesit publik”, thuhej në reagimin e tyre.

Qeveria në detyrë e Kosovës me qëllim të parandalimit të COVID19, më 13 mars ka mbyllur institucionet parashkollore.

Kujtojmë që mbrëmë Qeveria në detyrë e Kosovës me qëllim të lehtësimit të masave karshi pandemisë COVID19, ka vendosur për hapjen e çerdheve, kafiterive, restauranteve, institucioneve parashkollore, kufijve tokësor, sektori i gastronomisë.