Komuna e Shtimes paralajmëron nisjen e evidentimit të dëmeve nga nesër

Vërshimet kanë shkaktuar probleme edhe në komunën e Shtimes. Reshjet e fundit dëmtuan shtëpi, toka bujqësore, por edhe stalla të kafshëve.   Gjurmët e përmbytjeve nga reshjet e shiut vërehen edhe sot në fshatin Vojnoc të Shtimes. Gjendje më e rëndë ka qenë gjatë ditës së djeshme, kur niveli i ujit ka qenë më i…

Lajme

11/01/2026 21:56

Vërshimet kanë shkaktuar probleme edhe në komunën e Shtimes. Reshjet e fundit dëmtuan shtëpi, toka bujqësore, por edhe stalla të kafshëve.

 

Gjurmët e përmbytjeve nga reshjet e shiut vërehen edhe sot në fshatin Vojnoc të Shtimes. Gjendje më e rëndë ka qenë gjatë ditës së djeshme, kur niveli i ujit ka qenë më i rritur duke depërtuar në oborre.

Banorët e këtij fshati thonë se dëmet janë të konsiderueshme. “Gjendja ka qenë e mjerueshme. Kemi qenë në rrezik i gjithë katundi jo vetëm unë. Niveli i ujit ka qenë deri tek kjo shkalla këtu. Dëme kemi të konsiderueshme. Kemi lloj lloj makine në garazh aty që i ka marrë uji tha ”, tha Ismet Rifati, banor i fshatit Vojnoc për RTK.

“Pasojat janë aq të mëdha sa që janë të pa riparueshme. Kemi ushqim të kafshëve është prishur si tek unë ashtu edhe tek vëllai më poshtë atje”, tha  Mustafë Mehmeti, banor i fshatit Vojnoc .

“Uji e ka kapluar oborrin deri në terasë diku 80 centimetra. Edhe ajo si garazh ka qenë e përmbushur me ujë .Miellin e kemi pas aty, drutë, është një dëm i konsiderueshëm. Ka qenë gjendja mjaftë kritike”, tha Albert Ramadani, banor i fshatit Vojnoc.

Në komunë thonë se ekipet emergjente janë në gjendje gatishmërie dhe është intervenuar në disa raste.

“Dje edhe sot, por edhe dy ditë më herët jemi përgatitur realisht ku kemi pas mundësi me intervenua sepse reshjet kanë qenë shumë të mëdha.  Ka qenë shkak edhe që bora është shkri nga viset malore dhe shiu. Uji ka qenë në nivelin më të madh ndonjëherë në komunën e Shtimes”, tha  Adnan Ademi,  nënkryetar i Komunës së Shtimes.

Komuna e Shtimes ka paralajmëruar se nga nesër do të fillojë evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në këtë komunë.