lajmi.net

Komuna e Mitrovicës ndan mirënjohje për anëtarët e Klubit të Zhytjes “Trepça”, kontribuuan në evakuimin e disa familjeve

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri sot i ka ndarë mirënjohje klubit të zhytjes “Trepça”, për gatishmërinë si dhe ndihmën që kanë ofruar gjatë vërshimeve të fundit që ndodhën ditë më parë nga reshjet e shiut dhe borës në vend.

Lajme

27/01/2021 13:19

Sipas një njoftimi për media, Bahtiri ka shprehur mirënjohje ndaj të gjithë anëtarëve të këtij klubi për mbështetjen që kanë dhënë për komunën, si dhe gatishmërinë e tyre për t’i ndihmuar qytetarëve çdo herë kur ka pasur nevojë për intervenime urgjente, duke potencuar evakuimin e disa familjeve në lagjen “2 Korriku” dhe në fshatin Lisicë gjatë kohës kur u përfshinë nga vërshimet.

Po ashtu, siç thuhet në njoftim kryetari Bahtiri ka përmendur edhe pastrimin e Liqenit Akumulues disa herë nga klubi i zhytjes “Trepça”.

“Klubi i zhytjes pa hezitim kanë larguar tërësisht barishtet nga hapësirat ujore, si dhe ndihmën e dhënë shpesh herë në shpëtimin e jetëve të qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, Liridon Ahmeti nga klubi i zhytjes “Trepça”, theksoi se mirënjohja e ndarë sot nga Komuna e Mitrovicës do t’i motivoj të gjithë zhytësit që edhe në të ardhmen të japin kontributin e tyre, e të jenë gjithmonë në gjendje gatishmërie në rastet e rrezikut.