Komplikohen kërkimet për avionin e zhdukur

Kërkimet për avionin e zhdukur malajzianë janë komplikuar edhe më tej, pasi zona e kërkimit në jug të Oqeanit Indian ishte shumë e thellë për nëndetësen e vogël robotike.

Bota

15/04/2014 09:42

Zyrtarët australian njoftuan të martën se nëndetësja robotike Bluefin-21 tejkaloi kufirin e saj të thellësisë operative prej 4 mijë e 500 metrash dhe sistemi i saj i sigurisë e detyroi atë të kthehej në sipërfaqe, pas një misioni të shkurtër gjashtë-orësh.

Qendra e Koordinimit të Përbashkët të Agjencive njoftoi se autoritetet tani po nxjerrin dhe po analizojnë të dhënat e mbledhura nga pajisja nënujore, dhe pritet të rivendosin në funksionim atë në qoftë se përmirësohet moti sot më vonë.

Nëndetësja u aktivizua të hënën, gati një javë pasi u dëgjuan sinjalet e fundit  që besohet të jenë nga kutitë e zeza të avionit të zhdukur, raporton VOA.

Kutitë e zeza të avionit lëshojnë sinjale për të lehtësuar gjetjen e tyre, por bateritë e tyre mund të operojnë vetëm për rreth një muaj.

Aeroplani i kompanisë Malaysia Airlines është zhdukur më 8 mars, me 239 njerëz në bord, ndërkohë që mediat ndërkombëtare vazhdojnë të spekulojnë për vendndodhjen e mundshme të tij.

Spekulimi i fundit është se aeroplani i zhdukur i Malajzisë është rrëmbyer, dhe ka ateruar në Afganistan.

Siç raporton International Business Times, autoritetet ruse këto të dhëna i kanë marrë nga gazetarët rusë.

“Aeroplani i Malaysia Airlines i cili është zhdukur më 8 mars me 293 pasagjerë është rrëmbyer. Pilotët nuk janë fajtorë. Aeroplanin e kanë rrëmbyer terroristë të panjohur, kurse e dimë se një nga ata e quajnë ‘Hitch’. Aeroplani ka ateruar në Afganistan, afër kufirit me Pakistanin”, thonë burimet.

Aeroplani, sipas këtyre burimeve, ka ateruar në rrugën afër vargmaleve në Afganistan, kurse njëri krahë i është shkatërruar.

Thuhet se udhëtarët që të gjithë janë gjallë, por iu mungon ushqimi.

Të gjithë janë të zënë rob. Burimet thonë se udhëtarët janë të ndarë në shtatë grupe dhe jetojnë në shtëpiza.