Kompania e Lushtakut fiton edhe një tender 7-milionësh nga KEK-u
Pasuria e familjes Lushtaku do të rritet për afro shtatë milionë euro nga një tender i ri që është dhënë nga Korporata Energjetike e Kosovës. Kompania “Security Code”, pronë e Milazim Lushtakut dhe Esat Tahirit, është shpallur fituese e tenderit për ruajtjen dhe sigurimin e objekteve të KEK-ut. Vlera e tenderit është 6.879.403.20 euro, ndërsa kohëzgjatja e kontratës së dhënë më 22 dhjetor 2014, është 36 muaj.
Lajme
“Pronarët e kompanisë, Milazim Lushtaku dhe Esat Tahiri, janë njerëz të afërm të kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku. Njëri është djali i vëllait të tij dhe tjetri ish-truprojë”, shkruan të mërkurën e përditshmja Koha Ditore, dhe që të tre janë të akuzuar nga Prokuroria për tenderin e njëjtë që i kishte dhënë KEK-ut dy vjet më parë.
Aktakuza është ngritur javën e kaluar dhe përfshin edhe drejtorin e KEK-ut, Arben Gjukaj, kryetarin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha, shefin e prokurimit në KEK, Driton Pruthi, dhe ekspertin në OSHP, Azem Duraku.
“Prokuroria pretendon se tenderi i kaluar mbi gjashtë milionë euro i është dhënë kompanisë me anë të shkeljeve të mëdha ligjore dhe nën presionin e Sami Lushtakut”.
Kjo aktakuzë e cila është dorëzuar në Gjykatë, nuk ka qenë pengesë për KEK-un që edhe tenderin e dytë për shërbime të njëjta t’ia japë kompanaisë Security Code. Por, pas tenderit të shpallur, Security Code ka dalë si operatori ekonomik më i përgjegjshëm dhe me çmim më të ulët.
Ndërkaq, në përgjigjen me shkrim të bërë gazetës, KEK ka thënë se sa i përket aktakuzës, ajo do të kërkojë interpretime të tjera nga organet kompetente.
“Për sa i përket aktakuzës së përfolur dhe implikimeve të mundshme që mund të paraqiten rreth këtij aktiviteti dhe kontratës në përgjithësi, KËK-u ka kërkaur interpretime nga KRPP-ja dhe nga organet kompetente që të veprojë konform ligjit”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut, shkruan Koha Ditore.