Komisioni Europian: Kemi nisur heqjen e masave, hapat tjerë varen nga deeskalimi i qëndrueshëm në Veri

Bashkimi Europian ka nisur heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës si “shenjë përkushtimi” e bllokut. Këtë mesazh e solli me vete Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, në vizitën e saj të parë në Prishtinë. Komisioni Europian sot tha se kanë filluar punën në këtë drejtim, por theksoi se pjesa tjetër e heqjes së…

Lajme

02/06/2025 23:00

Bashkimi Europian ka nisur heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës si “shenjë përkushtimi” e bllokut. Këtë mesazh e solli me vete Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, në vizitën e saj të parë në Prishtinë.

Komisioni Europian sot tha se kanë filluar punën në këtë drejtim, por theksoi se pjesa tjetër e heqjes së masave do të jetë e kushtëzuar.

Komisioni Europian ka konfirmuar se ka nisur heqjen graduale të masave ndëshkuese ndaj Kosovës të vendosura në qershor të 2023-ës për shkak të tensioneve në veri.

Një zëdhënës i BE-së në një përgjigje për Gazetën Express tha se hapat e radhës nga ana e KE-së do të varen nga progresi i Kosovës nëse arrin të përmbushë pritshmëritë e tyre për shtensionim të situatës në veri të vendit.

“Në dhjetor të vitit 2024, Këshilli deklaroi se BE-ja gradualisht do të heqë masat paralelisht me hapat e mëtejshëm të Kosovës për de-përshkallëzimin e tensioneve në veri. Në këtë drejtim, Komisioni ka ndërmarrë hapat e parë për heqjen e disa masave. Hapat e mëtejshëm varen nga progresi në terren në përputhje me pritjet tona dhe janë të kushtëzuara me de-përshkallëzimin e qëndrueshëm në veri”, tha ky zëdhënës.

Megjithatë, BE s’tregoi se cilat masa janë hequr dhe cilat vazhdojnë të jenë në fuqi.

Vizitën e saj Kallas në Prishtinë e nisi me lajmin e shumëpritur në Kosovë për heqje të masave edhe pse heqja e pjesshme e tyre nuk i kënaqi fort liderët në vend.

“Si shenjë e përkushtimit tonë, mund të njoftoj se BE-ja ka filluar të heqë gradualisht masat e prezantuara në qershor 2023. Ky vendim hap rrugën për mundësi më të mëdha për zhvillimin e Kosovës dhe gjithashtu për lidhje më të ngushta me Europën”, tha Kallas, duke përmendur kushtet për heqjen e pjesës tjetër të masave.

Por, Kallas s’la pa përmendur edhe veprimet e fundit të autoriteteve kosovare në veri me mbylljen e strukturave paralele – një çështje që BE ngul këmbë se duhet të zgjidhet në tryezën e dialogut.

“Mbyllja e strukturave të mbështetura nga Serbia në veri minon përpjekjet drejt de-përshkallëzimit. Kosova ka bërë progres të rëndësishëm në forcimin e institucioneve demokratike në vitet e fundit dhe misioni ynë EULEX vazhdon të mbështesë sundimin e ligjit në Kosovë. Por përsëri, korniza aktuale politike dhe ngërçi po e mban Kosovën prapa”.

Në konferencën e saj në Prishtinë, Kallas tha se vendimi për heqje të pjesshme ishte për të treguar vullnetin e BE-së, por se edhe Prishtina duhet të tregojë rezultat në këtë drejtim.

“Mendoj se është e rëndësishme të kuptohet se në të njëjtën kohë nuk shohim përshkallëzim në veri. Pse po e them këtë? [Sepse] Unë personalisht i kam bindur shtetet anëtare se ne duhet të lëvizim [në raporto] me masat për Kosovën, por disa thonë se Kosova duhet të respektojë Marrëveshjen e Ohrit. Dhe përshkallëzimi në veri po bie ndesh me këtë. Prandaj, kjo është lufta në të cilën jemi. Pra, së pari, ne jemi gati të bëjmë hapat në anën tonë, por me të vërtetë duhet të shohim de-përshkallëzimin në veri”, tha Kallas.

Paraardhësi i Kallas në fund të mandatit të tij, në qershor të 2024-ës, kishte dorëzuar një raport vendeve anëtare të BE-së me rekomandimin që masat t’i hiqen Kosovës.

Në rekomandimin e tij, Borrell kishte shkruar se “vendimi nga ana e Këshillit do të ishte sinjal politik dhe do të kontribuonte në kontekstin e balancuar në të cilin dialogu Prishtinë-Beograd, që lehtësohet nga BE-ja, mund të ecë përpara”.

Sidoqoftë, që nga ajo kohë, BE s’kishte ndërmarrë ndonjë hap për të vënë në zbatim këtë rekomandim.

Për këtë në Kosovë kishte shumë ankesa dhe një të tillë e kishte bërë presidentja Vjosa Osmani vetëm pak ditë para se Kallas të vinte në Kosovë me njoftimin për heqjen e pjesshme.

Osmani këtë çështje e kishte adresuar gjatë samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë që u mbajt në mes të majit.

Ajo kishte thënë se mbajtja në fuqi e këtyre masave “po e dëmton edhe vetë kredibilitetin e BE-së”, ndërsa kishte kërkuar heqjen e tyre para rinisjes së dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.

“Këtë e kam kërkuar edhe mbrëmë gjatë darkës së organizuar nga ana e BE-së, dhe do ta kërkoj edhe sot, sepse kjo do t’i jepte kredibilitet dialogut”, kishte thënë Osmani.