Komisioni diskuton planin e veprimit për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve
Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, në mbledhjen e sotme, të cilën e kryesoi kryetari Zenun Pajaziti, diskutoi rreth planit të veprimit të grupeve punuese për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve.
Lajme
Pajaziti, tha se në kuadër të realizimit të këtij plan- veprimi, janë bërë disa vizita dhe monitorime në disa komuna, në Ministrinë e Administratës Publike, përkatësisht në Drejtorinë e OJQ-ve, në zyrën e Kryeministrit, si dhe në kufijtë administrativ. Të gjitha këto monitorime dhe vizita janë bërë nga deputetët.
Ndërkaq, deputeti Sadri Ferati, theksoi se problemi me kufijtë administrativ, në komunën e Gjilanit dhe të Novobërdës, është një problem që duhet të zgjidhet nga Komisioni.
Ai propozoi që kryetarët e këtyre dy komunave të ftohen në një takim, në mënyrë që të shihet pajtueshmëria e tyre rreth kufijve administrativ.
Për këtë u pajtuan anëtarët e Komisionit, por kryetari Pajaziti vlerësoi se duhet të ftohen kryetarët e të gjitha komunave, të cilët kanë interes të jenë në një tryezë të tillë.
Në fund, Pajaziti kërkoi nga KDI dhe NDI, që në komunat e reja të themeluara, të mbikëqyren raportet e tyre të qëndrueshmërisë financiare./lajmi.net