Kombëtarja U21 pëson nga Brazili, sot luan me Bahrejnin

12:58 | 22 Korrik 2019

Kombëtarja U21 e Kosovës në hendboll ka luajtur të dielen ndeshjen e rradhës në kampionatin botëror për juniorë, në Spanjë.

Në qytetin Pontevedra, kombëtarja jonë pësoi nga Brazili me rezultat 36:23. Brazili ka shfaqur cilësi të lartë në Spanjë dhe këtë e dëshmoi edhe ndaj nesh.

Brazilianët herët në ndeshje kanë filluar të shkëputen në rezultat dhe sigurtë kanë arritur te fitorja e re. Pjesa e parë përfundoi me rezultat 18:10 për Brazilin.

Kështu djemtë tanë kanë marrë përvojën edhe nga një ndeshje e botërorit, skenë në të cilën Kosova luan për herë të parë.

Aspekte të lojës tonë po përmirësohen nga ndeshja në ndeshje, por po ashtu po evidentohen dobësi që në botëror kushtojnë, e që synohet të kalohen me kohë. Ndaj Brazilit ka patur momente kur kombëtarja jonë ishte e barabartë me rivalin. Me pritje është dalluar Flakrim Beqiraj.

Tani djemtë tanë e kanë edhe një ndeshje në grup. Sot nga ora 16.30 luajmë me Bahrejnin, që gjithashtu ka shfaqur nivel. Më pas janë ndeshjet për plasman.

Kosova – Brazili 23:36 (10:18)

Kosova: Luzha, Gubetini 1, Dugolli 3, Abazi, Bajqinovci, Shabani 3, Avdulli 1, Tahirukaj 8, Mustafa 1, Beqiraj, Muqolli 2, Xhafolli 1, Basholli 3, Halili, Dalladaku. /Lajmi.net/