Kolektivi Feminist proteston në shenjë mbështetje për punëtoret teknike të Kuvendit

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka protestuar para Kuvendit të Kosovës për tu solidarizuar me punëtorët teknikë të Kuvendit, të cilat kanë hyrë në grevë këtë javë. “Çka bon njeri me 275 euro n ‘Kosovë”, “Deputetët rrogën 2000 euro, punëtorët teknik 275”, “ “Punëtorët teknikë të kalojnë në sektorin publik ndal ppp-të”, “Punëtoret teknike…

Lajme

20/09/2024 14:19

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka protestuar para Kuvendit të Kosovës për tu solidarizuar me punëtorët teknikë të Kuvendit, të cilat kanë hyrë në grevë këtë javë.

“Çka bon njeri me 275 euro n ‘Kosovë”, “Deputetët rrogën 2000 euro, punëtorët teknik 275”, “ “Punëtorët teknikë të kalojnë në sektorin publik ndal ppp-të”, “Punëtoret teknike e mbajnë Kuvendin”, “Punëtoret nuk janë mall”, ishin disa nga sloganet që ishin zgjedhur për të shprehur revoltën protestuesit.

Përfaqësuesja e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, Fjolla Muçaj tha se përmes kësaj proteste po shprehin solodaritetin me grevën e punëtoreve teknike të Kuvendit.

Ajo tha se këto punëtore kanë kushte të tmerrshme të punës.

Muçaj: Këto punëtore punojnë në kushte të tmerrshme

“Ato kanë tregu që punojnë në kushte të tmerrshme, me presion të vazhdueshëm psikologjik, dërrmim fizik e emocional, paga të mjerueshme e orë të zgjatura. Për punën që e bëjnë, ato paguhen veç 275 euro. Pra, me 275 euro në muaj ato kompensohen dhe priten që të mbijetojnë në një realitet i cili po bahet çdo ditë e ma i kushtueshëm dhe ma i pamundur për klasën punëtore. Me ato 275 euro, ato harxhojnë deri në 60 euro në muaj veç për me ardhë në punë. E ajo rrogë, nuk iu shtohet kur ato punojnë me orë të zgjatura deri natën vonë e iu mohohet kur ato janë sëmurë e nuk arrijnë me ardhë në punë”, tha ajo.

Teksa shprehu mbështetjen e kërkesave të këtyre punëtoreve teknike të Kuvendit të Kosovës, Fjolla Muçaj shpalosi edhe kërkesat konkrete që i kanë ato.

Muçaj: Ne i mbështesim kërkesat e këtyre punëtoreve

“I ri përsërisim këtu kërkesat e grevisteve e që janë: Rroga mujore 550 euro, pagesë të rregullt kontributeve, kushte pune të dinjitetshme e që nënkuptojnë ndalim të menjëhershëm të dhunës psikologjike, presionit dhe degradimit që iu bëhet. Ne i mbështesim këto kërkesa dhe përpjekjen e tyre për kushte më të mira. Ne jemi këtu dhe do të vazhdojmë me ardhë këtu kurdo që kërkohet, për të lypë drejtësi për punëtoret, kushte të dinjitetshme pune”, tha ajo.

Në orën 13:30 ka nisur takimi në mes të përfaqësueses të punëtoreve teknike dhe kryetarit të Sindikatës të Sektorit Privat, Jusuf Azemit me zëvendëskryetaren e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bugujevcin dhe me Ilir Kërçelin, këshilltarin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Pas takimit pritet të ketë prononcime për medie.

Që nga kjo e hënë punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës kanë hyrë në grevë. Kërkesa e tyre kryesore është rritja e pagës nga 275 në 550 euro.

E gjatë muajit korrik këto punëtore patën protestuar para Kuvendit të Kosovës./