Kokainë mes bananeve, destinacion Shqipëria

Në portin Tivar të Malit të Zi, është sekuestruar të enjten një sasi rekord e drogës së llojit kokainë, që kishte destinacion Shqipërinë. Bëhet fjalë për 250 kilogramë kokainë të cilësisë së lartë, që do vinte në Shqipëri, e fshehur në kutitë e bananeve që vinin nga Ekuadori. 

Lajme

05/06/2014 19:53

Droga është gjetur në njërin nga tre kontejnerit që sillte banane nga Ekuadori drejt Shqipërisë. Duke përdorur një skaner, oficerët e policisë doganore kanë zbuluar kokainën. Mësohet se droga ishte e ndarë në 223 pako. Vlera e llogaritur e shitjes së drogës arrin deri në 12.5 milionë euro, transmeton REL.

Edhe gazeta gjermane Bild shkruan për sasinë më të madhe të drogës të kapur ndonjëherë në Malin e Zi. Të njëjtat burime saktësojnë se bëhet fjalë për substancë \”jashtëzakonisht të pastër\”.

Për sasinë më të madhe të kokainës së pastër të kapur në historinë e Malit të Zi, siç shkruan Vijesti online, ka folur edhe drejtori i Autoritetit të Doganave, Vladan Jokoviq, i cili ka thënë se kontejneri është dërguar nga kompania \”Vimticorp SA\”, nga Ekuadori, ndërsa pranuese ishte kompania shqiptare ‘Rrapo’.

Sipas regjistrit zyrtar të Shqipërisë, Rrapo është një kompani e regjistruar në mars të vitit 2013 nga Nazike Rrapij. Kompania u krijua për të importuar fruta dhe sipas regjistrit kjo është dërgesa e saj e parë.

Ajo që dihet është se bananet kishin destinacion Shqipërinë, ndërsa ende nuk saktësohet se ku do shpërndahej kokaina e pastër pasi mbërritjes së saj në Shqipëri.