KOK-u nënshkroi kontrata me 32 bursistë “Shpresat Olimpike 2023”

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka nënshkruar kontrata me 32 bursistë “Shpresa Olimpike 2023”, të cilët do të mbështeten nga KOK-u. Bursistët, që iu takojnë moshës 14-21 vjeç, do të përfitojnë nga 150 euro në muaj gjatë tërë vitit 2023. Duke folur për mbështetjen, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, tha se numri i bursistëve është…

Sport

19/04/2023 15:05

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka nënshkruar kontrata me 32 bursistë “Shpresa Olimpike 2023”, të cilët do të mbështeten nga KOK-u.

Bursistët, që iu takojnë moshës 14-21 vjeç, do të përfitojnë nga 150 euro në muaj gjatë tërë vitit 2023.

Duke folur për mbështetjen, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, tha se numri i bursistëve është rritur nga 25 në 32.

“Për këtë mbështetje duhet falënderuar edhe partnerin tonë të artë, Bankën Kombëtare Tregtare (BKT), me të cilën jemi duke rrugëtuar së bashku drejt sukseseve të reja. Bursistët, që vijnë nga 17 federata sportive olimpike, janë përzgjedhur nga komisioni i sportit, ndërsa të gjithë këta vlerësohen që kanë potencial për të ardhmen”, deklaroi Krasniqi.

Në emër të federatave, kryetari i Federatës së Mundjes së Kosovës, Naim Muja, shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të KOK-ut, duke thënë se sportistët duhet të punojnë shumë, në mënyrë që të shpërblejnë mbështetjen e KOK-ut.

Në emër të sportistëve, foli skitarja Lirika Deva, e cila falënderoi KOK-un për mbështetje, derisa shpreson që bursa do t’iu ndihmojë për përgatitje dhe gara.

Sportistët po ashtu nënshkruan kontrata me partnerin kryesor të KOK-ut, BKT Kosova, për hapjen e xhirollogarive bankare./Lajmi.net/