Kocijançiç: Për kapitullin 35, tani vendosin shtetet anëtare të BE-së, KE-ja e ka kryer punën e saj

Zëdhënësja e Komisionit Evropian (KE), Maja Kocijançiç, ka deklaruar sot se për përmbajtjen e kapitullit 35-të do të vendosin shtetet anëtare të BE-së, dhe se KE tashmë e ka përfunduar pjesën e saj të punës, shkruan Tanjug.

Lajme

14/10/2015 10:05

“KE-ja i ka paraqitur shteteve të BE-së një projekt-platformë, ku rekomandohet hapja e kapitullit, dhe tani varet nga shtetet anëtare se çfarë do të ndryshojnë në të dhe më pas të vendosin për hapjen e kapitullit”, ka bërë të ditur Kocijançiç para gazetarëve në Bruksel, transmeton lajmi.net.

Kocijançiç, e cila gjithashtu flet në emër të përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, dhe komisionerin për politika fqinjësore dhe bisedime për zgjerim, Johanes Han, ka thënë se dokumenti i hartuar nga KE ofron një pasqyrë të asaj se për çfarë është dakorduar deri më tani gjatë dialogut të Brukselit, çfarë është aplikuar dhe çfarë mbetet ende për t’u bërë.

Megjithatë, ajo nuk ka dashur të specifikojë nëse ky dialog do të zhvillohet mes Prishtinës dhe Beogradit, apo mes Kosovës dhe Serbisë, që dyshohet se qëndron në platformë.

“Ekziston vetëm një dialog dhe një përfaqësuese e lartë, e cila është sponsorizuese e këtij dialogu”, ka thënë Kocijançiç, duke shtuar se nuk ka asgjë tjetër të shtojë në lidhje me këtë. (lajmi.net)