Koci për arrestimin e Mit’hat Lozhanit në Serbi: Kemi informacione për trajtim fizik të papërshtatshëm, marrje në pyetje vazhdimisht

Avokati i njohur kosovar, Arianit Koci ka njoftuar se ndodhet në Beograd në cilësinë e avokatit, për rastin e arrestimit të Mit’hat Lozhanit nga policia serbe. Ai ka thënë se ky rast po shkon në drejtim që kërkon reagim të menjëhershëm, pasi ka thënë se janë marrë informacione për trajtim fizik të papërshtatshëm, marrje në…

Lajme

11/02/2026 09:49

Avokati i njohur kosovar, Arianit Koci ka njoftuar se ndodhet në Beograd në cilësinë e avokatit, për rastin e arrestimit të Mit’hat Lozhanit nga policia serbe.

Ai ka thënë se ky rast po shkon në drejtim që kërkon reagim të menjëhershëm, pasi ka thënë se janë marrë informacione për trajtim fizik të papërshtatshëm, marrje në pyetje të vazhdueshme dhe presion brenda paraburgimit.

Koci ka kërkuar verifikim të menjëhershëm të këtyre pretendimeve, shkruan lajmi.net.

Ai ka treguar si duhet të bëhet ky verifikim.

“Duhet:

– ekzaminim mjekësor i pavarur;

– dokumentim zyrtar i çdo lëndimi të mundshëm;

– sqarim për mënyrën dhe kushtet e marrjes në pyetje;

– masa konkrete për sigurinë fizike dhe psikologjike;

– veçim nga të burgosurit tjerë, nëse ka rrezik për sigurinë e tij”, ka shkruar Koci.

Ai ka thënë se autoritetet që e mbajnë në paraburgim mbajnë përgjegjësi të plotë për jetën dhe shëndetin e tij.

“Çdo devijim nga standardet bie ndesh me Nenin 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që ndalon trajtimin çnjerëzor apo degradues. Prandaj, kërkoj transparencë dhe monitorim serioz ndërkombëtar. Mit’hat Lozhani gëzon prezumimin e pafajësisë. Kjo duhet me u respektu në çdo fazë të procedurës. Nëse ka proces të drejtë dhe transparent, e vërteta për këtë rast do të dalë; do të lirohet. Institucionet e Republikës së Kosovës duhet me e trajtu këtë si çështje urgjente. Siguria e shtetasve tanë jashtë vendit është detyrim kushtetues”, ka shkruar Koci.

Ai iu ka bërë thirrje shtetasve të Kosovës, sidomos atyre që ishin pjesë e UÇK-së apo strukturave të sigurisë, ta shmangin transitin nëpër Serbi derisa të ketë siguri juridike dhe fizike. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: