Koci: Kurti dëshiron qeveri vetëm me pakicat joserbe ose opozitë
Njohësi i çështjeve politike, Melazim Koci, ka vlerësuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk e ka dëshiruar formimin e qeverisë që pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt. Sipas Kocit, dëshira e Kurtit ka qenë dhe vazhdon të jetë formimi i qeverisë me pakicat joserbe ose shkuarja në opozitë. “Unë mendoj që Kurti…

Lajme
Njohësi i çështjeve politike, Melazim Koci, ka vlerësuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk e ka dëshiruar formimin e qeverisë që pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt.
Sipas Kocit, dëshira e Kurtit ka qenë dhe vazhdon të jetë formimi i qeverisë me pakicat joserbe ose shkuarja në opozitë.
“Unë mendoj që Kurti as që e ka dëshiruar formimin e qeverisë nga përfundimi i zgjedhjeve para 7-8 muajve. Në fakt, ai e ka dëshiruar formimin e qeverisë, por e ka dëshiruar i vetëm, pra ai vetëm bashkë me pakicat joserbe, ose në të kundërtën të shkojë në opozitë. Unë mendoj se ky ka qenë qëndrimi i Kurtit, ky është edhe tani qëndrimi i tij, dhe mendoj që edhe në zgjedhjet e ardhshme ky do të jetë qëndrimi i Kurtit, pavarësisht a e thotë ai apo jo. Do të thotë, Kurti dëshiron të qeverisë i vetëm me pakicat joserbe ose të shkojë në opozitë. Mendoj që është një qëndrim legjitim, është e drejtë e tij”, ka thënë ai në Tëvë1.
“As opozita në këtë moment nuk e ka shumicën dhe nuk e ka as vullnetin për ta bërë qeverinë, sepse shtrohet pyetja: Çfarë i duhet opozitës një qeveri e cila do të funksionojë vetëm 3-4 muaj?”, ka shtuar Koci.
Tutje, ai ka theksuar se nuk sheh zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve, ndonëse sipas tij, mbajtja e tyre para ose pas vitit të ri do të ishte gabim, pasi ekziston mundësia që rezultati të mbetet i njëjtë.
“Normalisht që nuk shoh zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve, por jo siç po pohojnë shumica, zgjedhjet tani para apo pas vitit të ri, sepse mendoj që do të jetë gabim nëse zgjedhjet mbahen tani, pasi gjasat janë shumë të mëdha që nëse zgjedhjet mbahen këtë kohë, raporti i forcave të mbetet i njëjtë dhe ne prapë të kemi bllokadë të sërishme”, ka përfunduar Koci.