Koci kundër Gjykatës Speciale: Kush ka kryer krim, le të përgjigjet individualisht, por nuk mund të gjykohet vetëm njëra palë e luftës
Avokati Arianit Koci ka shprehur publikisht kundërshtimin e tij ndaj Gjykatës Speciale në Hagë, duke argumentuar se procesi i saj lidhet me një histori politike dhe institucionale që, sipas tij, ka nisur që nga viti 2008. Në një reagim të publikuar në Facebook, Koci ka renditur disa arsye për qëndrimin e tij kundër kësaj gjykate.…
Lajme
Avokati Arianit Koci ka shprehur publikisht kundërshtimin e tij ndaj Gjykatës Speciale në Hagë, duke argumentuar se procesi i saj lidhet me një histori politike dhe institucionale që, sipas tij, ka nisur që nga viti 2008.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Koci ka renditur disa arsye për qëndrimin e tij kundër kësaj gjykate.
Ai ka përmendur mocionin e vitit 2008 në Këshillin e Evropës, të lidhur me deputetin rus Konstantin Kosachev, dhe raportin e mëvonshëm të Dick Martyt.
Sipas Kocit, pretendimet për trafikim organesh ishin ndër akuzat më të rënda të ngritura në atë periudhë, ndërsa ai thekson se trafikimi i organeve nuk është pjesë e aktakuzave në proceset aktuale të Dhomave të Specializuara.
“Për mua, këtu qëndron mashtrimi i madh politik”, ka shkruar Koci.Koci ka argumentuar gjithashtu se krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së janë trajtuar edhe nga institucione të tjera ndërkombëtare, duke përmendur Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), UNMIK-un dhe EULEX-in.Një nga kundërshtimet kryesore të tij lidhet me faktin se në Dhomat e Specializuara të Kosovës po gjykohen pjesëtarë të UÇK-së, ndërsa, sipas tij, nuk ekziston një gjykatë me mandat të veçantë që të trajtojë krimet e forcave serbe në Kosovë.“Po gjykohet vetëm njëra palë e luftës”, ka deklaruar Koci, duke shtuar se “Serbia nuk po gjykohet aty”.
Avokati ka ngritur kritika edhe për mënyrën e funksionimit të gjykatës, duke theksuar se ajo është krijuar me ligj të Kosovës, por selinë e ka në Hagë dhe funksionon me gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtarë.
Koci ka kritikuar gjithashtu kohëzgjatjen e proceseve dhe paraburgimin e të akuzuarve, duke pretenduar se disa prej tyre janë mbajtur për vite në paraburgim para aktgjykimeve të shkallës së parë.Sipas tij, zhvillimi i proceseve larg Kosovës krijon edhe një distancë nga publiku dhe nga rrethanat konkrete në të cilat ka ndodhur lufta.
“Formalish po gjykohen individët. Pasojat politike po bien mbi UÇK-në, luftën çlirimtare dhe vetë Kosovën”, ka shkruar Koci.Avokati ka bërë thirrje për mbështetje dhe shpërndarje të qëndrimit të tij, duke paralajmëruar se “faza tjetër është referendumi për këtë çështje”.