Koci aplikon në Librin e Rekordeve Guinness për dështimin 48 herë radhazi të konstituimit të Kuvendit

Avokati, Arianit Koci ka bërë të ditur se ka aplikuar në Librin e Rekordeve Guinness, duke paraqitur një rast që e quan absurd: dështimin e 48-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në një postim në Facebook, Koci e ka cilësuar situatën si të pashembullt në nivel global. “Aplikova në Librin…

Lajme

17/07/2025 13:18

Avokati, Arianit Koci ka bërë të ditur se ka aplikuar në Librin e Rekordeve Guinness, duke paraqitur një rast që e quan absurd: dështimin e 48-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në një postim në Facebook, Koci e ka cilësuar situatën si të pashembullt në nivel global.

“Aplikova në Librin e Rekordeve Guinness. Si qytetar i Kosovës – e paraqita rastin absurd që po ndodh në vendin tim: 48 herë rresht ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Po, dyzet e tetë tentime – dhe ende pa Kuvend funksional. Turp, turp, turp!” ka shkruar ai.

Ai thekson se një situatë e tillë nuk është parë as në vendet më të goditura nga krizat.

“Sipas meje, kjo nuk ka ndodhur askund në botë – as në vendet me krizë të thellë institucionale. Madje, as në shtetet me përçarje etnike, sektare apo politike. Vetëm te ne – në një shtet që vetëquhet demokratik,” shkruan më tej Koci.

Koci thotë se ky veprim është pjesë e protestës së tij qytetare, që tashmë ka nisur para Kuvendit të Kosovës, raporton lajmi.net

“Ky veprim është në vazhdën e protestës sime qytetare, që kam nisur para Kuvendit. Bllokimi i institucioneve tani është çështje e rendit demokratik, e të drejtave të qytetarëve dhe e funksionimit të shtetit. Nëse Guinness e pranon, të paktën ta dimë që jemi ‘të parët në botë’ për diçka – për një rekord turpi!” ka shkruar ai.

Në fund të postimit, Koci ka paralajmëruar vazhdimin e protestës.

“P.S. Të hënën do ta vazhdoj protestën para Kuvendit. Natyrisht, do të jetë protestë interesante.”/Lajmi.net/