Koalicioni LAA dhe Vetëvendosje arrijnë marrëveshjen e parë

Sot në Prishtinë në mesditë me iniciativë të Alternativës dhe AKR-së u zhvillua një takim me udhëheqësit e Lëvizjes Vetëvendosje.

Lajme

25/08/2017 20:37

Në takim u diskutua për hapat e radhës në zhbllokimin e situatës së krijuar pas seancës së djeshme në Kuvendin e Kosovës.

Të gjithë u dakorduan se domosdoshmëria e lëvizjes së procesit të konstituimit të Kuvendit është shumë e madhe dhe takimet në mes të VV, LDK, AKR dhe Alternativa do të vazhdojnë me intensitet të shtuar.

Ndërsa, në orët e pasdites u takuan udhëheqësit e koalicionit LAA, thuhet në njoftimin e Alternativës, raporton lajmi.net.

Në këtë takim partitë e koalicionit caktuan anëtarët e grupit punues politik dhe atij programor me VV si dhe arritën harmonizimin e qëndrimeve të koalicionit LAA për prioritetet qeverisëse të Kosovës duke u dakorduar për intensifikim të dialogut me VV prej fillimit të javës së ardhshme.

Pas dakordimit për platformën qeverisëse partitë e LAA dhe VV do të jenë të hapura për të krijuar koncenzusin e nevojshëm për qeverisjen e re dhe temat e rëndësisë së veçantë për Kosovën.

Pjesëmarrës në takime nga partitë politike ishin: Mimoza Kusari – Lila dhe Ilir Deda (Alternativa), Behgjet Pacolli, Korab Sejdiu (AKR), Isa Mustafa (LDK), Albin Kurti dhe Dardan Sejdiu (VV), përfundon njoftimi.

Për këtë takim ka raportuar sot lajmi.net:

Takohen Behgjet Pacolli, Ilir Deda e Mimoza Kusari – a do t’i bashkohen PAN-it? (Foto)