KMLDNJ kërkon drejtësi për Shyrete Berishën, fajëson gjykatën për neglizhencë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ), kërkon që në rastin e Shyhrete Berishës të ketë drejtësi. KMLDNJ, fajëson edhe gjykatën për mos trajtim me prioritet të rastit. 

Lajme

02/12/2014 10:11

Këshilli për Mbrojtjen  e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut  (KMLDNJ), kërkon që në rastin e Shyhrete Berishës të ketë drejtësi.

Në një komunikatë të KMLDNJ-së, thuhet se e drejta e trashëgimisë është e rregulluar me Ligjin për Trashëgiminë, dhe  thirrja në të drejtën zakonore apo Kanunin e Lekë Dukagjinit është veprim i pamoralshëm.

KMLDNJ, për rastin e Shyhrete Berishës, bënë përgjegjëse edhe gjykatën, që sipas tyre nuk e ka trajtuar si duhet.

KMDLNj e bënë përgjegjëse edhe gjykatën kompetente që nuk ka vepruar shpejtë dhe duke e trajtuar rastin me prioritet për shkak të ndjeshmërisë.

“E mbijetuara e masakrës ndaj familjes Berisha që e kryen forcat paramilitare, policore dhe ushtarake serbe në Therandë, znj. Berisha përkundër faktit se në masakrën ndaj familjes Berisha humbi burrin dhe 4 fëmijët, edhe 15 pas përfundimit të luftës në Kosovë nuk po mund të realizojë njërën ndër të drejtat themelore të njeriut, të drejtën e trashëgimisë. Në një kontest të stërzgjatur gjyqësor që ka filluar para 12 vjetësh ajo po përballet me mohimin e të drejtës që të trashëgojë shtëpinë ku ka jetuar me burrin dhe 4 fëmijët e ekzekutuar nga forcat serbe”.

“Sot në Kosovë e drejta e trashëgimisë është e rregulluar me Ligjin për Trashëgiminë i cili përcakton qartë këtë të drejtë andaj thirrje eventuale në të drejtën zakonore apo Kanunin e Lekë Dukagjinit përveç se është anakronizëm është edhe një veprim i pamoralshëm dhe demonstrim i hapur i diskriminimit që i bëhet femrës në Kosovë në përgjithësi ndërsa znj. Shyhrete Berisha në veçanti”.

“Në rastin konkret KMDLNj e bënë përgjegjëse edhe gjykatën kompetente që nuk ka vepruar shpejtë dhe duke e trajtuar rastin me prioritet për shkak të ndjeshmërisë së rastit në mënyrë që të eliminohet diskriminimi në baza gjinore ndaj znj. Berisha”. 

“Për KMDLNj –në është i parëndësishëm fakti ku jeton Shyhrete Berisha (Gjermani) e që përdoret si argument në kontestimin e së drejtës së pakontestueshme, të drejtës për trashëgimi. Gjithashtu, manipulimi me faktin kinse babai i z. Xhelal Berisha, si trashëgimtar i vetëm i kësaj prone e njeh për trashëgimtar të ligjshëm dhe të vetëm z. Xhelal Berisha nuk paraqet fuqi juridike që e përjashton znj. Shyhrete Berisha nga trashëgimia”.

“KMDLNj përkrah të drejtën e pamohueshme të znj. Shyhrete Berisha për trashëgimi të pronës familjare dhe kërkon të ndërpriten diskriminimet që u bëhen femrave në realizimin e kësaj të drejte duke kërkuar gjithashtu që Ligji për Trashëgiminë të respektohet në përpikëri pa bërë dallime etnike, fetare e në rastin konkret gjinore”, thekson KMDLNj.